Aktualitet

Në muajin prill, inflacioni zbriti në 4.6%, sipas INSTAT-it!

Inflacioni që mat ndryshimin vjetor të çmimit të mallrave, po shfaq shenja të ndjeshme ngadalësimi për të gjashtin muaj me radhë, duke nisur nga nëntori i kaluar. Instituti i Statistikave sot publikoi Indeksin e Çmimeve të Konsumit, sipas të cilit ndryshimi vjetor i çmimeve të konsumit në muajin prill ishte 4.6%. Një vit më parë ky ndryshim ka qenë 6.2%. Krahasuar me marsin 2023, muajin e kaluar, ndryshimi mujor i çmimeve të konsumit rezulton 0.03%. Nivelin më të lartë, inflacioni e shënoi tetorin që shkoi kur arriti 8.3%.

Krahasuar me muajin prill 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 9.6%, pasuar nga grupet “Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 6.7%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 4.5%, “Veshje dhe këpucë” me 3.9%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3.8%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3.6%, “Argëtim dhe kulturë” me 2.4%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2.3%, “Shërbimi arsimor” me 2.1%, “Shëndeti” me 1.4% dhe “Komunikimi” me 1.2%. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” shënuan ulje me 10.7%.

Brenda grupit të ushqimeve, çmimet e nëngrupit “Qumësht, djathë dhe vezë” u rritën me 15.5%, pasuar nga nëngrupet “Peshk” me 13.5%, “Mish” me 12.3%, “Zarzavate, përfshirë patatet” me 10.7%, “Fruta” me 7.7%, “Bukë dhe drithëra” me 5.6%, “Sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 4.9%.

Krahasuar me muajin mars 2023, çmimet e grupit “Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” u rritën me 0.9%, pasuar nga grupet “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0.6%, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0.5% secili. “Hotele, kafene dhe restorante” me 0.4%, “Shëndeti” me 0.3%, “Komunikimi” me 0.2%, “Veshje dhe këpucë” dhe “Shërbimi arsimor” me 0.1% secili.

Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën më 1.1%, pasuar nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”, me 0.2%.