Live From Tirana

Nga “The Voice of France” në “Eurovision”, ja rrugëtimi i Gjon’s Tears në skenat e mëdha

Ai ka qenë vetëm 12-vjeç kur u shfaq për herë në një skenë shqiptare, përkatësisht në “Albanian’s Got Talent”. Bëhet fjalë për Gjon’s Tears këngëtarin shumë të talentuar i cili prej shumë vitesh jeton në Zvicër por herë pas here rikthehet në vendin e tij për të vizituar familjarët.

Për herë të fundit në një skenë shqiptare, Gjonin e kemi parë vitin e kaluar teksa performoi live në “The Voice Kids 3”, hitin e tij “Babi” i cili që prej lançimit u bë menjëherë pjesë edhe e The Top List. I ftuar “Live From Tirana”, ai na zbuloi detaje të shumta rreth planeve në muzikë e jo vetëm.

Siç shumë prej jush tashmë e dinë, artisti i suksesshëm u përzgjodh si përfaqësues i Zvicrës në Festivalin Europian që për shkak të pandemisë nuk u realizua këtë vit. Gjithsesi ai do të rikthehet vitin e ardhshëm po si përfaqësues i këtij shteti por me një këngë të re.

“Ishte në rregullat e Eurovizionit që në përfaqësimin tim të dytë duhej një këngë tjetër. Kemi realizuar 20 këngë për 1 muaj e gjysmë. Këngën që përzgjodhëm e bëmë me ndihmën e një jurie, ishte si një konkurs më vete por jam shumë i gëzuar, mezi po pres që njerëzit ta dëgjojnë. Rezultati ishte akoma më i mirë seç e prisja.”

Gjon’s Tears, theksoi se momentalisht është edhe në bisedime për një bashkëpunim muzikor me një artist amerikan që ai do ta mbajë sekret edhe për pak kohë.