Bota

Origjina e COVID-19, OBSH pro hetimit të mundësisë së aksidentit laboratorik!

Ekspertë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë thanë se nevojiten kërkime të mëtejshme për të përcaktuar si filloi COVID-19, duke përfshirë një analizë më të detajuar të mundësisë së një aksidenti laboratorik. Ky qëndrim shënon një përmbysje të mprehtë të vlerësimit fillestar të agjencisë për origjinën e pandemisë. Vitin e kaluar, OBSH-ja arriti në përfundimin se ishte “jashtëzakonisht pak e mundshme” që COVID-19 u përhap te njerëzit nga laboratori.

Shumë shkencëtarë dyshojnë se koronavirusi u transmetua te njerëzit nga lakuriqët e natës, përmes kafshëve të tjera. Në raportin më të fundit të publikuar, grupi i ekspertëve të OBSH-së tha se “ende mungojnë të dhënat kryesore, që do ta sqaronin si filloi pandemia”. Ata thanë se grupi “do të mbetet i hapur për të gjitha provat shkencore, të aksesueshme në të ardhmen, që të mundësohet testimi gjithëpërfshirës i të gjitha hipotezave të arsyeshme”.

Për shkak se aksidentet laboratorike kanë shkaktuar disa epidemi në të kaluarën, kjo teori, shumë e politizuar, nuk mund të hidhet poshtë.
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump ka spekuluar disa herë pa prova se “COVID-19 u nis në një laborator kinez”. Gjithashtu, akuzoi OBSH-në për “bashkëpunim të fshehtë” me Kinën, për të mbuluar epideminë fillestare, referuar faktit se OBSH-ja e ka lavdëruar publikisht vendin aziatik.

Jamie Metzl, anëtar i grupit të pavarur këshillues të OBSH-së, sugjeroi që G7, të kryejë hetimin e tij për origjinën e koronavirusit, duke vënë në dukje se “OBSH-së i mungonte autoriteti politik, ekspertiza shkencore dhe pavarësia për të kryer një vlerësim të tillë kritik”. Metzl përshëndeti thirrjen e OBSH-së për hetime të mëtejshme mbi mundësinë e një rrjedhjeje nga laboratori, por tha se kjo nuk mjafton.

Tragjikisht, qeveria kineze vazhdon të refuzojë të ndajë të dhënat bazë të papërpunuara dhe nuk do të lejojë auditimin e nevojshëm e të plotë të laboratorit në Wuhan. Aksesi në këtë informacion është thelbësor për të kuptuar si filloi kjo pandemi dhe për të parandaluar pandemitë e ardhshme.