Aktualitet Live From Tirana

“Jemi si kokrra e mollës”/Deputetja e PS, Romina Kuko reagon pas protestave: Nëse dikush më thotë që është shitur Shqipëria…

E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën ka qenë deputetja e Partisë Socialiste, Romina Kuko, e cila është ndalur më shumë mbi protestën popullore prej disa ditësh tashmë në qytet, por jo vetëm…

Sharka: Si ndihet Partia Socialiste pas këtyre 24 ditëve protesta?

Kuko: Si kokrra e mollës (qesh).

Sharka: Do të të shajnë për këtë besoj…

Kuko: Nuk ka rëndësi si është Partia Socialiste, është në krye të punëve, duke vazhduar punët e mira, duke menaxhuar kriza patjetër, por që C’est la vie.

Sharka: Sot është dita e 24-të e protestës. Ju si Partia Socialiste me gjithë këto vite qeverisje, keni nxjerrë ndonjë mësim? Përveç se të merreni me detaje se nga kush financohet, çfarë bëhet gabim e çfarë jo, ju jeni ulur dhe të keni thënë se këta protestues kanë të drejtë në këtë pikë dhe duhen dëgjuar? Keni bërë një analizë, një autokritikë?

Kuko: Besoj që analizën e ka bërë gjithsecili që në fillimin e protestës, si individualisht, ashtu edhe si grup. Patjetër që secili ka pikëpyetjet e veta se pse njerëzit ngrihen në protestë, po flas për pjesën e shëndetshme, po flas për të rinjtë, po flas për ata që realisht dalin në protestë për një idealizëm dhe për një kërkesë reale, po heq mënjëanë këto interferencat dhe kontaminimet e protestës fatkeqësisht. Patjetër që dhe si grup parlamentar ne kishim një mbledhje ditën e shtunë, ku ne kemi diskutuar gjatë e gjerë për të gjitha autoreflektimet, reflektimet që do duhet të kemi, por besoj se kjo zgjidhet me dialog. E kam thënë dhe më përpara. Mendoj që analiza mund të bëhet një vetëanalizë, por nëse nuk ka një ballafaqim me palën tjetër me pakënaqësitë…

Sharka: Por jua kanë thënë pakënaqësitë.

Kuko: Patjetër që po, por janë disa pakënaqësi të cialt do të duhen të sqarohen. Janë disa pakënaqësi të cilat shkojnë përtej asaj që po bëhet realisht. Pra, një lloj përgjithësimi i pakënaqësisë, një lloj nihilizmi nëse mund ta quaj kështu. Patjetër që ka çështje dhe tema që do të duhen të zgjidhen, por disa janë duke u zgjidhur, disa janë edhe të pavërteta, janë ekzagjerime, të cilat do të duhen të sqarohen.

Sharka: Që shëndetësia ka punë për të bërë, nuk besoj që është e pavërtetë.

Kuko: Patjetër që shëndetësia ka punë për të bërë, ato janë tema të tjera të qeverisjes. Por nëse dikush del dhe më thotë që po shkatërroni mjedisin, apo nëse dikush del e më thotë që është shitur Shqipëria, është shitur një ishull, pastaj kjo kërkon sqarim dhe kërkon një debat shumë shterues.