E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën ka qenë deputetja e Partisë Socialiste, Romina Kuko, e cila është ndalur më shumë mbi protestën popullore prej disa ditësh tashmë në qytet, por jo vetëm…
Sharka: Pse këtij populli i erdhi në majë të hundës?
Kuko: Nëse më thua që e njoh mirë psikologjinë, atëherë më duhet ta dekonstruktoj pyetjen pastaj, se pse këtij populli i erdhi në majë të hundës.
Sharka: I ka ardhur në majë të hundës.
Kuko: Në radhë të parë duhet të jemi shumë të qartë se çfarë përkufizojmë me popull.
Sharka: Popull jemi të gjithë ne që dalim në shesh, që ankohemi në rrjete sociale…
Kuko: Le t’i quajmë qytetarë, se fjala popull është pak e keqpërdorur.
Sharka: Ne që nuk paguajmë dot qiranë në fund të muajit, ne që nuk blejmë dot një shtëpi, ne që ndonjëherë duhet të shkojmë edhe në privat për të bërë ndonjë operacion të shtrenjtë, që të marrin avionin për të ikur jashtë… Në Shqipëri ke ende operacione bamirësie, duhet të bëhen emisione bamirësie që një kauzë të luftohet, një sëmundje të kurohet jashtë, dikujt i bëhet shtëpie…
Kuko: Nuk dua ta përgjithësoj fare dhe ta krahasoj edhe me vendet e Europës, por duhet të kemi parasysh që gjenerata Z kudo në botë, është një nga gjeneratat që po kalon një vështirësi shumë të madhe, sidomos në pjesën ekonomike. Po ta shikosh në statistika, gjenerata Z është ajo që është më e penalizuara, edhe gjenerata ime që jam një Millenial, patjetër që është e penalizuar po ta krahasosh me prindërit tanë, të cilët kishin mundësi të kishin një banesë, kishin mundësi të krijonin një jetë të tyre me një kosto shumëtë ulët. Sot në këtë ekonominë e madhe kapitaliste që ndonjëherë kalon përtej asaj balancës që do duhet të ketë në sistemin kapitalist, ai që vuan është pikërisht qytetari. Pra sistemi është i tillë që të fut në atë rrotullën ku do të duhet të mbijetosh. Për këtë nuk dua unë që të amnistoj fare problematikat që ekzistojnë, sidomos për pjesën e të rinjve, por mendoj që patjetër në një qeverisje ka gjithmonë punë për të bërë dhe ka gjithmonë punë më të mirë për të bërë.
Sharka: Këtë e dimë, çështja është pse i erdhi në majë të hundës?
Kuko: Unë nuk e di nëse mund ta quaj i erdhi në majë të hundës, apo pati një moment ku pakënaqësia u bashkua me një ngjarje shumë konkrete siç ishte ngjarja e Zvërnecit. Patjetër që vjen një moment që kushdo shpreh pakënaqësinë e vet, pastaj kemi një shumatore të pakënaqësive, secili për mënyrën e vet dhe kjo është shumë fisnike, të dalësh të protestosh për shkollimin, për shëndetësinë dhe për tema të tjera, sigurisht që është shumë fisnike. Por nga ana tjetër duhet të kuptojmë nga vijmë, sa rrugë të gjatë kemi bërë. Unë mbaj mend në kohën kur kam qenë në shkollë, deri në gjimnaz, shkollat tona ishin pa xhama dhe kishim ca banga dërrqse që të bëhej shtylla kurrizore copë. Kështu që duhet ta shohim pak nga vijmë, ku jemi dhe ku shkojmë.
Sharka: Atëherë fëmijët i çonin në shkollë, i linin deri në orarin zyrtar, sot në Tiranë detyrohen t’i çojnë fëmijët në shkolla private se nuk ta mban më shkolla pas orës 11, se ka një fluks nxënësish. Dëgjoj shumë nëna të reja që nuk ikin dot në punë, sepse në orën 11 duhet ta marrin nga shkolla.
Kuko: Në fakt kjo është duke ndryshuar. Kur kam qenë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, bashkë me kolegët kemi propozuar programin që t’i bëjnë detyrat në shkollë dhe sidomos ushqimi në shkollë, për ato familje që nuk e përballojnë dot të gjithën, të ishte një program i vazhdueshëm. Kështu që jam absolutisht me ju për këtë pjesë.