Rajoni

Pikë kthese në Bullgari për shkak të krizës politike!

Kriza politike në rritje në Bullgari ka sinjalizuar pasojat e drejtpërdrejta dhe afatgjata për ekonominë e këtij shteti e partnerët e tij europianë. Javën e kaluar, Slavi Trifonov, njoftoi se partia e tij, “Ka një popull të tillë”, po tërhiqej nga koalicioni qeverisës, që ka marrë detyrën gjashtë muaj më parë. Ai tha se arsye ishin dështimet e supozuara politike mbi Maqedoninë e Veriut, procesi i së cilës për anëtarësim në Bashkimin Europian është bllokuar nga Sofja, për shkak të çështjeve me karakter historik. Tërheqja po bëhej edhe për shkak të fondeve të pamjaftueshme për infrastrukturë.

Por, rezultatet e këtij vendimi do të ndihen edhe në sektorë të tjerë, teksa bota po përballet me kriza të shumëfishta e skena politike në Bullgari po shkon drejt një pike kthese. Qeveria e kryeministrit bullgar, Kiril Petkov, nuk ka rënë, ndonëse mbështetja parlamentare është dëmtuar mjaftueshëm e është çështje kohe para se ekzekutivi të rrëzohet. Çfarëdo që të ndodhë në ditët dhe javët në vijim, disa gjëra janë të sigurta:

Gradualisht, Bullgaria po shkon drejt miratimit të përdorimit të euros; shpresat për përmirësimin e raporteve me Maqedoninë e Veriut po shuhen e po kështu qëllimet për funksionimin e komisionit anti-korrupsion e të reformave gjyqësore që një kohë të gjatë nuk janë realizuar.

Më herët gjatë këtij muaji, Bullgaria i mohoi ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov, mundësinë të vizitonte Serbinë duke i ndaluar fluturimin dhe i qëndroi besnike sanksioneve të BE-së, çka zemëroi Moskën. Javë më parë, kompania shtetërore ruse Gazprom, ndërpreu furnizimet me gaz për shtetin bullgar. Sofja refuzoi kërkesën e Moskës për të paguar me rubla, që nënkuptonte shkelje të kontratave për furnizim.

Por, asnjëra nga këto nuk shkaktoi krizë, pasi Qeveria bullgare po negocion furnizimet alternative të gazit e është duke përfunduar një tubacion “ndërlidhës” me Greqinë, që do të ndihmojë në eliminimin e varësisë së Bullgarisë nga gazi natyror rus. Të katër ministrat nga partia, “Ka një popull të tillë”, dorëzuan dorëheqjet e tyre e që do të varen edhe nga pranimi zyrtar nga ana e kryeministrit e më pas propozimet e Petkovit në Parlament për zëvendësimin e tyre. Por, ndryshimi veçse ka filluar.

Tre partitë që kanë mbetur në koalicion janë pakicë në Asamblenë Kombëtare, Parlamentin njëdhomësh të Bullgarisë dhe për këtë arsye nuk janë në gjendje që të vetëm të miratojnë vendime. “Ne vazhdojmë ndryshimin”, Partia Socialiste Bullgare dhe Bullgaria Demokratike kontrollojnë vetëm 109 vende të Parlamentit apo 11 më pak për të krijuar shumicën në legjislativin me 240 deputetë.