Aktualitet

Presidenti Meta dekreton protokollet e aderimit në NATO për Finlandën e Suedinë!

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, sot dekretoi me shpallje ligjet për ratifikimin e Protokollit të Traktatit të Atlantikut të Veriut për aderimin e Republikës së Finlandës dhe të Mbretërisë së Suedisë. Në argumentet që shoqërojnë këtë dekret, Kryetari i Shtetit shprehet se “Republika e Shqipërisë ka ndjekur me përparësi procedurat e brendshme ligjore lidhur me anëtarësimin e Republikës së Finlandës dhe të Mbretërisë së Suedisë në NATO”.

Anëtarësimi i këtyre vendeve mike, patjetër që është një zhvillim historik dhe ndryshim i madh strategjik, që mbështetet në çdo hap nga Shqipëria. Jemi të bindur se anëtarësia e tyre do të ndikojë në forcimin e kontributit të përbashkët në këtë Aleancë. Së bashku, qëndrojmë më të fortë!

Tre ditë më parë ishte Kuvendi i Shqipërisë, që në seancën plenare të së enjtes, miratoi protokollet për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO, duke e bërë Shqipërinë të dytin vend anëtar të Aleancës Veri-Atlantike që i jep OK-in zgjerimit me dy shtetet nordike. Të martën më 5 korrik, Kanadaja u bë shteti i parë që ratifikoi në Parlamentin e saj anëtarësimin. Në një postim në rrjetet sociale, ministrja e Punëve të Jashtme, Melanie Jolie shkroi:

Kanadaja mbështet me entuziazëm Finlandën e Suedinë për t’u bashkuar me NATO-n. Ne ishim të parët që ratifikuam zyrtarisht pranimin e tyre në Aleancë. Ne jemi më të fortë së bashku!

Deri tani, Finlanda dhe Suedia mbanin neutralitet ushtarak, por pas pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, Helsinki e Stokholmi vendosën të aplikojnë për t’iu bashkuar NATO-s. Fillimisht, Turqia kundërshtoi duke i akuzuar për mbështetje të terrorizmit, pasi nuk pranonin ekstradimin e disa kurdëve të kërkuar nga Ankaraja.

Më pas, mosmarrëveshjet u shmangën dhe u arrit dakordësi. Të dy shtetet nënshkruan protokoll për anëtarësim në NATO e Protokolli i Pranimit duhet të miratohet nga parlamentet e 30 vendeve anëtare të Aleancës, para aderimit formal të Finlandës dhe Suedisë.