Bota Health & Beauty

Vendi evropian ku shkalla e duhanpirjes është nën 5 për qind!

Suedia ka arritur objektivin e saj për të pasur më pak se 5 për qind të popullsisë që pinë duhan rregullisht, duke u bërë efektivisht një vend “pa duhan”, raportoi sot Radio Suedia. Këshilli Suedez për Informim mbi Alkoolin dhe Drogat e Tjera e ka konfirmuar këtë arritje, duke deklaruar se vendi tani ka përmbushur objektivin e tij afatgjatë të shëndetit publik për vitin 2025.

Në fillim të viteve 1980, më shumë se 30 për qind e suedezëve pinin duhan në bazë ditore, theksoi këshilli. Kjo ulje përfaqëson një rënie të vazhdueshme gjatë disa dekadave, ndërsa politikat e shëndetit publik dhe ndryshimi i zakoneve shoqërore kanë kontribuar në rënien e normave të pirjes së duhanit në gjithë vendin.

Ndërkaq, cigaret elektronike po konsiderohen gjithnjë e më shumë si një alternativë efektive për të ndihmuar duhanpirësit të lënë duhanin, krahasuar me metodat tradicionale si çamçakëzët apo patch-et e nikotinës. Ky përfundim vjen nga një studim i udhëhequr nga studiues të University of Oxford dhe i publikuar në revistën shkencore Addiction journal.

Në këtë studim, ekspertët analizuan të dhënat nga 14 rishikime sistematike të realizuara gjatë periudhës 2014–2023, duke vlerësuar efektivitetin e cigareve elektronike në krahasim me terapitë zëvendësuese të nikotinës (NRT), si çamçakëzët dhe patch-et. Rezultatet tregojnë se cigaret elektronike me nikotinë janë më efektive në ndihmën për ndërprerjen e duhanit. Sipas një analize të vitit 2024, për çdo 100 përdorues, rreth 2 deri në 5 persona më shumë arrijnë të lënë duhanin duke përdorur cigare elektronike, krahasuar me metodat tradicionale.