Sport

Roma arrin marrëveshje me Granit Xhakën e Rui Patricio-n!

Kampionati Europian sapo ka nisur e po merr vëmendje kryesore si një prej ngjarjeve sportive më të rëndësishme ndërsa drejtuesit e Romës vijojnë punën për të përforcuar skuadrën në kuadër të sezonit të ri. Synohet të kompletohet sa më shpejt grupi në dispozicion të Jose Mourinhos.

Kërkesat e tij specifike janë për portierin veteran portugez Rui Patricio dhe mesfushorin me origjinë shqiptare Granit Xhaka ndërsa mediat në Itali raportojnë se Roma ka arritur marrëveshje me të dy këta futbollistë.

Xhaka pritet të nënshkruajë kontratë 4-vjeçare me pagë 2.5 milionë euro në sezon, plus bonuset, si dhe me opsion për rinovimin edhe një vit të pestë ndërsa tani drejtuesit e Romës janë duke sistemuar detajet e transferimit me klubin e Arsenalit.

“Topçinjtë” ranë dakord për një shifër prej 18 milionë eurosh krahas bonuseve që po negociohen nga palët, pasi anglezët synojnë të përfshijnë sa më shumë shpërblime të arritshme lehtësisht.

E njëjta situatë edhe për portierin Rui Patricio, kontrata e të cilit me Wolves skadon verën e ardhshme, por klubi anglez pritet ta lërë të lirë 33-vjeçarin kundrejt një dëmshpërblimi simbolik.

Që të dy këta futbollistë janë të angazhuar në Europian me përfaqësueset përkatëse dhe zyrtarizimi te Roma do të vijë vetëm në përfundim të këtij kompeticioni.