Bota

Rritja rekord e rasteve me COVID, Kina shton kufizimet!

Kufizimet për shkak të pandemisë COVID-19 po vendosen në të gjithë Kinën, përfshirë një qytet ku punëtorët e një fabrike u përleshën këtë javë me policinë, pasi numri i rasteve po thyen rekorde ditore. Banorëve të tetë rajoneve në Zhengzhou, ku banojnë 6.6 milion njerëz iu tha të qëndrojnë në shtëpi për pesë ditë duke filluar nga sot, përveç daljeve për blerje të ushqimit ose trajtime mjekësore. Testim masiv ditor u urdhërua si pjesë e asaj që bashkia e quajti “luftë asgjësimi kundër virusit”.

Gjatë përplasjeve të dy ditëve të fundit, policia e Zhengzhout i goditi punëtorët që po protestonin për një mosmarrëveshje lidhur me pagat në fabrikën më të madhe të telefonave Iphone, në zonën industriale pranë qytetit. Foxconn, pronarët nga Tajvani kërkuan falje për “një gabim teknik në sistemin kompjuterik” e dhanë garanci se pagesat do të kryhen sipas marrëveshjes.

Gjatë 24 orëve të fundit u regjistruan 31.444 infektime të reja me COVID-19. Kjo është shifra më e lartë e regjistruar në qytetin Wuhan që kur u detektua për herë të parë virusi në fund të vitit 2019. Numri ditor i rasteve të reja ka qenë në rritje kohët e fundit. Këtë javë, autoritetet raportuan për vdekjen e parë nga koronavirusi në gjashtë muajt e fundit, duke e çuar totalin në 5.232.

Partia Komuniste e Kinës mbetet e përkushtuar ndaj strategjisë “zero-COVID” që synon të izolojë çdo rast e të eliminojë virusin plotësisht. Në parandalimin e vdekjeve dhe sëmundjeve serioze, shumica e qeverive të tjera i dhanë fund kufizimeve dhe mbështeten vetëm në vaksinimin e imunitetin e qytetarëve nga infektimet e kaluara.

Bizneset dhe komunitetet rezidenciale, nga qendra prodhuese e Guangzhout deri në Pekin zbatojnë masa kufizuese të ndryshme, të cilat prekin veçanërisht punëtorët emigrantë. Në shumë raste, banorët thonë se kufizimet shkojnë përtej asaj që lejon qeveria kombëtare. Ndërsa kufijtë e Kinës mbeten kryesisht të mbyllur, qeveria ka lehtësuar procesin e daljes e hyrjes për një kategori që duhet të lëvizë me çdo kusht.

Qeveria po përpiqet të frenojë valën e fundit të infektimeve pa i mbyllur fabrikat dhe pjesën tjetër të ekonomisë së saj, siç bëri në fillim të vitit 2020. Një taktikë është përdorimi i “qarkut të mbyllur”, sipas të cilit punëtorët do të jetonin në fabrikat ku punojnë, pa pasur kontakt me botën jashtë.