Xu Zewei, shtetas kinez që Shtetet e Bashkuara e akuzojnë për hakerimin e hulumtimeve amerikane për COVID-19, u ekstradua në SHBA në fund të prillit nga Italia. Një skenar të tillë e shmangu kinezi Cui Guanghai, pasi iku nga arresti i shtëpisë në Beograd.
Ai ishte ndaluar me kërkesë të autoriteteve amerikane, për shkak të akuzave për përndjekjen e një artisti kinez që jeton në SHBA. Më vonë, po në SHBA, u akuzua edhe për tentativë kontrabandimi të pajisjeve ushtarake drejt Kinës.
Drejtori i Byrosë Federale amerikane të Hetimit (FBI), Kash Patel, përmendi pikërisht Serbinë si një nga vendet që shtetasit kinezë, në vend se t’i ekstradojë në SHBA, i kthen në Kinë.
Gjatë një seance dëgjimore në Senatin amerikan më 12 maj, Patel, duke shpjeguar vizitën në Milano, tha se atje në paraburgim ndodhej një kriminel i nivelit të lartë kibernetik i lidhur me Partinë Komuniste të Kinës.
Arritëm të siguronim një marrëveshje që ai person të dëbohej nga Italia në vend që të kthehej në Kinë, siç ka ndodhur shpesh në vende si Serbia.
Institucionet e Serbisë nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë lidhur me pretendimin e shefit të FBI-së, Patel, të bërë në Kongresin amerikan.
Ndërkaq, Sërxhan Cvijiç nga organizata joqeveritare Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë, i tha Radios Evropa e Lirë se ky është një sinjal shumë i keq për Serbinë.
Ai theksoi se kur drejtori i FBI-së përmend një vend para Kongresit në kontekstin e Kinës, ekstradimeve dhe kërcënimeve të sigurisë, ky “nuk është një shqetësim diplomatik kalimtar”.
Kjo do të thotë se ai vend ka hyrë në diskursin amerikan të sigurisë si një aktor problematik.
Si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia mban raporte të ngushta dhe ka bashkëpunim politik, ekonomik e ushtarak me Kinën, pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli dhe Uashingtoni.
Kina është e angazhuar në projekte infrastrukturore në Serbi, merren kredi nga bankat kineze, ndërsa vitet e fundit Serbia ka intensifikuar blerjen e armëve kineze.
Kë kanë kërkuar SHBA-të nga Serbia?
Drejtori i FBI-së nuk përmendi emra apo raste konkrete para Kongresit Amerikan kur përmendi Serbinë.
Por, duke folur më 28 prill për Fox News lidhur me ekstradimin e Xu Zeweit nga Italia, ai tha se ka pasur një rast kur, në vitin 2025, një shtetas kinez qe ndaluar në Serbi.
Në fund, u kthye në Kinë, pavarësisht përpjekjeve të SHBA-ve për të siguruar ekstradimin e tij.
Në shtator 2025 u bë e ditur se pasi hoqën byzylykët elektronikë nga arresti i shtëpisë në Beograd, shtetasi kinez Guanghai dhe britaniku John Miller kishin ikur.
Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, dyshohet se ata “kanë koordinuar dhe udhëhequr një komplot për të frikësuar e kërcënuar një qytetar të Los Anxhelosit, i cili ka kritikuar publikisht presidentin kinez Xi Jinping”.
Pas arratisjes, Gjykata e Lartë në Beograd urdhëroi shpalljen e tyre në kërkim. Rasti i arratisjes mbetet i pazbardhur.
Në nëntor 2025, BIRN raportoi se vetëm një orë pasi Guanghai e Miller u zhdukën, nga aeroporti i Beogradit drejt Pekinit ishte nisur avioni privat i një kompanie kineze.