Rajoni

Serbët e Kosovës kërcënojnë me bllokim të veriut!

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, paralajmëroi bllokimin e rrugëve në veri, nëse Kosova ndërmerr veprime për konfiskimin e makinave me targa serbe. Këtë e bëri të ditur pas takimit të Listës Serbe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Beograd.

Nëse Prishtina fillon me dhunë, me ndonjë veprim lidhur me konfiskimin e automjeteve, ne do të bllokojmë të gjitha vendkalimet dhe hyrjet nga veriu drejt Kosovës qendrore.

Vuçiçit iu tha se nëse Forcat e Sigurisë së Kosovës, njësitë speciale të policisë apo dikush tjetër fillon të konfiskojë pronën tonë dhe prona tona janë pikërisht targat që janë edhe arsyeja e takimit, ne do të përdorim të gjitha mjetet në mënyrë demokratike e paqësore, për të rezistuar dhe do të jetë rezistenca e popullit.

Kur themi rezistencë paqësore demokratike të popullit, ne me të vërtetë atë e duam, por nuk e di se në çfarë do të shndërrohet e gjitha e si do të zhvillohet situata në terren.

As unë nuk e di dhe askush nga ne që jetojmë atje poshtë se në çfarë do të shndërrohet situata nëse dikush fillon të na marrë pronën me dhunë.

Takimi mes përfaqësuesve të Listës Serbe dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, vjen pesë ditë para se të skadojë afati për riregjistrimin e makinave në Kosovë. Serbia mban edhe mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare e pritet që Vuçiç të flasë për mediat.

Nga 1 shtatori, Kosova nisi procesin për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia, në ato RKS-Republika e Kosovës. Pas 31 tetorit, Prishtina zyrtare bëri të ditur se automjetet me targa serbe nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e shtetit. Targat me akronime serbe për qytetet e Kosovës, si KM, PZ, PR e të ngjashme, konsiderohen “të paligjshme” nga Qeveria Kurti.

Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova e Serbia të shmangin tensionet. Po ashtu, Kosovës iu bë thirrje që të shtyjë afatin për riregjistrim me 10 muaj.