Bota

SHBA: Lufta në Tajvan do të ishte “shkatërruese”!

Konflikti në Ngushticën e Tajvanit do të ishte “shkatërrues”. Kështu paralajmëroi sot sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ndërsa kritikoi mungesën e gatishmërisë së Kinës për t’u përfshirë në bisedime. Ai tha se e gjitha bota e ka për detyrë ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në Ngushticën e Tajvanit. Në një konferencë të sigurisë, të organizuar nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike, shefi i Pentagonit u shpreh:

Siguria e korsive të transportit detar dhe zinxhiri global i furnizimeve varet nga diçka e tillë. Mos u ngatërroni, konflikti në Ngushticën e Tajvanit, do të ishte shkatërrues. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosur për të ruajtur paqen e sigurinë në atë zonë.

Homologut kinez, Li Shangfu, zyrtari i lartë amerikan, Austin i kërkoi që të takohen në prag të konferencës, por pala kineze refuzoi. Para takimeve, Li vuri në dukje se Kina ka të drejtë të përdorë forcën për ta përfshirë Tajvanin në territorin e saj, ndonëse synon “ribashkim” paqësor.

Tajvani është ishull i pavarur prej vitit 1949, por Kina e konsideron të vetin, duke mos e fshehur synimin që një ditë ta bëjë pjesë të territorit kinez. Ditën e nesërme, pritet që Li të prezantojë axhendën e re të sigurisë së Kinës.

Më herët, Pekini ka paralajmëruar se kritikat ndaj tij për çështjen e Tajvanit do të rezultojnë me pasoja të rrezikshme. Ministri i Jashtëm kinez, Qin Gang, tha se Pekini është “forcë në rritje për paqe dhe drejtësi”.

Kina dhe Tajvani janë ndarë gjatë luftës civile më 1940-ën, por Pekini insiston se ishulli do t’i kthehet dikur. Ky ishull ka Kushtetutën e tij, liderët e zgjedhur në mënyrë demokratike dhe rreth 300 mijë trupa aktive ushtarake në mesin e forcave të armatosura. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë lidhje zyrtare me Tajvanin, por kanë një ligj që përfshin dërgimin e mjeteve që i duhen ishullit për ta mbrojtur veten.