Botë e Çuditshme

Shteti i parë në botë që do të taksojë gromësirën e bagëtive!

Zelanda e Re po planifikon që të taksojë gromësirat e deleve dhe lopëve, në përpjekje për të luftuar ndryshimet klimatike. Sipas autoriteteve, një prej burimeve më të mëdha të emetimit të gazrave të dëmshëm në atmosferë, është gromësira e bagëtive. Vendi do të bëhet kështu shteti i parë në botë që takson emetimet e gazit metan nga bagëtitë.

Në Zelandën e Re, jetojnë 5 milionë njerëz, por gjithashtu edhe 10 milionë lopë e 26 milionë dele. Thuajse gjysma e gazrave të dëmshëm vijnë nga bujqësia dhe blegtoria. Sipas propozimit të ri, fermerët duhet të nisin të paguajnë për gazrat e lëshuar nga bagëtitë e tyre që nga viti 2025.

Projektligji përfshin edhe ndihma financiare për fermerët që do të përpiqen të ulin emetimin e gazrave përmes suplementeve ushqimore që do të blejnë për bagëtitë, ndërsa mbjellja e pemëve nëpër ferma do të ndihmojë gjithashtu në uljen e emetimit të gazrave. Ministria e Ambientit deklaroi se paratë e përftuara nga kjo skemë do të investohen për nisma që do të luftojnë ndryshimet klimatike.

Rikujtojmë, se një lajm i padëgjuar më parë ka ardhur së fundmi nga Sudani i Jugut, ku një lopë është arrestuar për vrasjen brutale të një djali 12-vjeçar. Në një nga deklaratat më të çuditshme të policisë së bërë ndonjëherë, autoritetet e këtij vendi kanë konfirmuar se lopa e arrestuar mund të rrezikojë një kohë të gjatë në burg nëse shpallet fajtore.