Bota

Sot Dita Ndërkombëtare e Tokës/El Ninjo nuk premton për mirë!

Sot është Dita Botërore e Tokës, e vendosur si e tillë në datën 22 prill të vitit 1970. Në këtë datë të 53 viteve më parë ishin 20 milion amerikanë që morën pjesë në demonstratën mjedisore, një nga më spektakolaret dhe që u quajt “Dita e Tokës”.

Më 22 prill, në mbarë botën dashamirës të mjedisit organizojnë një varg aktivitetesh për të mirën e tij dhe të njeriut, si aktivitete pastrimi, gjelbërimi, pyllëzimi, manifestime në formë protestash, ekspozita, koncerte, vizita, peticione, orë edukative me nxënës, etj.

Por, të dhënat befasuese për shkak të ndryshimeve të klimës e kanë bërë krizën e planetit më të qartë se kurrë vitin e kaluar. Kështu shprehet Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) në raportin e saj kushtuar gjendjes së klimës globale. Duke folur në Gjenevë të Zvicrës, sekretari i përgjithshëm i WMO-së, Petteri Taalas u shpreh:

Fenomeni i motit El Ninjo gjithashtu nuk premton për mirë.

Sipas studiuesve gjermanë, për shkak se El Ninjo ka një efekt ngrohjeje, së shpejti mund të vendoset një rekord global i temperaturës. Andreas Fink nga Instituti gjerman i Teknologjisë (KIT) theksoi:

El Ninjo që ka të ngjarë të zhvillohet gjatë këtij viti, para së gjithash rrit probabilitetin që më 2023-shin dhe vitin e ardhshëm të vendosë ose tejkalojë vlerën e mëparshme rekorde të vitit 2016 sa i përket temperaturës mesatare globale.

Madje, Karsten Haustein nga Instituti i Meteorologjisë në Universitetin e Lajpcigut po në Gjermani, e konsideron të imagjinueshme që viti 2024 po ashtu të kalojë kufirin 1.5 gradë Celsius globalisht për herë të parë në baza vjetore.

Vendet e botës duan që të parandalojnë ngrohjen nga tejkalimi i 1.5 gradë Celsiusve e këtë nuk e kanë fshehur. Për diçka të tillë është edhe ajo që përfshihet në Marrëveshjen e Parisit për Klimën, por përpjekjet e shënuara deri tani po shihet se nuk janë aspak të mjaftueshme e duhen më tepër përpjekje.