Bota

“The Simpsons” parashikuan rikandidimin e Donald Trump?!

Së fundmi disa përdorues të mediave sociale besojnë se “The Simpsons” kanë parashikuar rikandidimin e Donald Trump për postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Producenti i serialit “The Simpsons”, Al Jean, ka postuar në profilin e tij në Twitter një fotografi nga një episod i transmetuar në vitin 2015. Ai përmban Homer Simpson dhe një shenjë ‘Trump 2024’.

Është fjala për episodin “Trumptasic Voyage”, në të cilin Homeri nis një udhëtim ‘të pazakontë’ pas një “takimi me një parukë të Donald Trump”. “Si i parashikojnë gjërat The Simpsons? Kjo ka filluar të më trembë”, shkroi një përdorues në Twitter. “Asgjë nuk është rastësi”, shtoi një tjetër. Ndërsa edhe vet producenti Al Jean në postimin e tij ka shkruar: “Siç parashikuan ‘The Simpsons’ në vitin 2015”.

Rikujtojmë, se ditën e djeshme Trump ka shpallur zyrtarisht rikandidimin e tij për postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Rikthimi i Amerikës fillon pikërisht tani”, u tha Trump mbështetësve në resortin e tij, Mar-A-Lago, në Florida. Njoftimi vjen një javë pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, të cilat përcaktojnë përbërjen e Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit Amerikan. Partia Republikane e Trumpit doli më keq seç pritej në këto zgjedhje dhe shumë prej kandidatëve që ai mbështeti, nuk arritën të fitonin.