Ndërsa historia e luftës SHBA-Iran po shkruhet drejtpërdrejt në rrjetet sociale, Donald Trump mund të jetë rrëfimtari më pak i besueshëm i këtij zhanri.
Që nga fillimi i luftës, Trump ka kërcënuar vazhdimisht Iranin me pasoja të rënda nëse Teherani nuk ulet në tryezën e bisedimeve dhe nuk nënshkruan një marrëveshje paqeje, të cilën presidenti amerikan e kishte shpallur si të afërt që javë më parë. Në të njëjtën kohë, ai ka deklaruar vazhdimisht se marrëveshja me Iranin është “shumë pranë”, pa sjellë asnjë rezultat konkret. Sipas një përllogaritjeje të CNN, Trump e ka përsëritur këtë pretendim 38 herë.
Kjo ndodh ndërsa SHBA-ja ka shpallur tashmë një “fitore të plotë” në konflikt dhe Trump ka sulmuar gazetarët që kanë vënë në dyshim mençurinë e ndërhyrjes ushtarake, veçanërisht në kushtet kur Ngushtica e Hormuzit vazhdon të mbetet e mbyllur për më shumë se 20% të trafikut global të naftës.
Megjithatë, Trump vazhdon të mbajë një qëndrim kontradiktor: nga njëra anë deklaron Iranin të mundur, ndërsa nga ana tjetër fajëson kokëfortësinë e Teheranit për dështimin e arritjes së një marrëveshjeje paqeje.
“Ngacmuesi i Lindjes së Mesme ka vdekur!!!”, shkroi ai në një postim të hënën. “Ata pritën shumë gjatë për të negociuar një marrëveshje që do të ishte shumë e mirë për ta, tani do të paguajnë çmimin!!!”
Trump bëri këtë deklaratë pasi një helikopter amerikan Apache u rrëzua pranë brigjeve të Omanit nga një dron iranian. Ngjarja vuri në pikëpyetje deklaratat e mëparshme të Trump dhe sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, të cilët kishin pretenduar se Irani “nuk ka mbrojtje kundërajrore dhe nuk ka radarë”.
Faktet në terren duket se tregojnë të kundërtën. Sulmet me raketa dhe dronë të Iranit kanë vijuar kundër aleatëve të SHBA-së në rajon, përfshirë Kuvajtin, Bahreinin dhe Jordaninë. Në kundërpërgjigje për rrëzimin e helikopterit Apache, SHBA-ja goditi mbi 20 objektiva në territorin iranian, përfshirë radarë dhe sisteme të mbrojtjes kundërajrore.
Të mërkurën, nga Zyra Ovale, Trump paralajmëroi një reagim të ashpër ushtarak, por njëkohësisht deklaroi se marrëveshja mbetej pranë.
“Do t’i godasim sërish fort sot dhe pastaj do të shohim çfarë do të ndodhë me marrëveshjen. Jemi shumë afër një marrëveshjeje, por ata vazhdojnë të na mbajnë pezull dhe të na marrin për budallenj”, tha ai.
Sipas analizës, vala e deklaratave të Shtëpisë së Bardhë, ku një ditë flitet për marrëveshje të afërta dhe ditën tjetër paralajmërohet se “një qytetërim i tërë mund të vdesë sonte”, e ka mbajtur Trumpin në qendër të vëmendjes mediatike, por njëkohësisht ka dëmtuar besueshmërinë e tij në çështje që lidhen me luftën dhe sigurinë ndërkombëtare.
Disa liderë duket se po e shfrytëzojnë këtë hendek besueshmërie. Trump deklaroi se kishte ndërmend t’i kërkonte kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të mos ndërmerrte sulme hakmarrëse kundër Iranit. Por pasi Izraeli goditi objektiva iraniane, Trump deklaroi në një intervistë për BBC se “raketat tashmë ishin lëshuar”. Më pas ai mohoi që Netanyahu ta kishte sfiduar, duke shtuar se “kur unë i them Netanyahu-t të bëjë diçka, ai e bën”.
Po ashtu, presidenti amerikan ka kërcënuar vazhdimisht Iranin me sulme ndaj infrastrukturës civile dhe energjetike, veprime që shumë vëzhgues ndërkombëtarë i kanë cilësuar si potencialisht në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar humanitar, por më pas është rikthyer te diplomacia ose ultimatumet me afate dyjavore që më pas harrohen.
Sa herë që negociatat ngecin ose tensionet rriten pas incidenteve të tilla si rrëzimi i helikopterit amerikan, cikli përsëritet. Kërcënime, ulje tensionesh dhe më pas bllokim i ri.
Fox News raportoi të mërkurën se Trump po afrohej sërish drejt opsionit të sulmeve shumë më të gjera kundër Iranit. Sipas analizës, një skenar i tillë mund të dëmtonte rëndë ekonominë iraniane dhe infrastrukturën ushtarake e civile të vendit, pa garantuar domosdoshmërisht hapjen e Ngushticës së Hormuzit apo dorëzimin politik të Teheranit.
Në këtë pikë, administrata Trump duket se përballet me të njëjtin problem: epërsia ushtarake nuk po përkthehet në lëshime politike nga Irani. Përveç postimeve të presidentit në rrjetin Truth Social, ka pak shenja përparimi në negociata.
Nga ana tjetër, të paktën në nivel deklarativ, Irani nuk jep sinjale se është i gatshëm për kapitullim.
“Pavarësisht humbjeve në fushën e betejës, SHBA-ja vendosi të testojë vendosmërinë tonë”, shkroi ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi. “Forcat tona të armatosura nuk do të lënë pa përgjigje asnjë sulm apo kërcënim. Largohuni nga rajoni ynë nëse doni të jeni të sigurt.”