Top Albania Radio Special

Kur Akilit, hero i madh grek në luftën e Trojës, iu kërkua të zgjidhte mes jetës se shkurtër e të lavdishme në gjithë historinë që do të vinte pas, apo jetës së gjatë dhe të harrohej shpejt, ai zgjodhi jetën e heroit të lavdishëm, të famshëm e të paharrueshëm. Në një analogji të botës moderne dukshëm kësaj figure do t’i qëndronte bukur edhe ikona dhe sex simboli i të gjitha kohërave, pavarësisht standartizimit të bukurisë, Marylin Monroe.

Lindur më 1 Qershor të 1926 Marilyn Monroe ishte aktorja Hollywood-iane e filmave komedi që bëri histori me imazhin e vajzës bionde dhe ‘show girl’ e skenave përgjatë viteve 1950 dhe në fillim të viteve ‘60. Teksa punonte në një fabrikë përgjatë Luftës së Dytë Botërore, ajo u pikas nga një fotograf i cili i mundësoi një nisje të karrierës në fushën e modelingut. Përgjatë kësaj kohe ajo gjithashtu u bë pjesë e filmave me minirole të cilët do t’i jepnin dhe një kontratë me “Columbia Pictures” e më vonë me “Fox” në 1950, ku për 2 vitet e ardhshme ajo u kthye në një aktore shumë të dashur dhe të njohur për publikun me role si “As Young As You Feel”, “Monkey Business”, “Clash By Night”, etj.

Fillimi i skandaleve të saj ishte një lajm që bëri me dije se ajo kishte pranuar të fotografohej nudo përpara se të bëhej një yll televiziv, por në fakt kjo gjë në vend të shkatërronte karrierrën e saj, i dha një vrull shumë herë më të madh. “Gentelmen Prefer Blondies” dhe “How To Marry A Millionaire”, ishin filmat që përcaktuan shumë lidhur me fatin e saj në botën e kinematografisë Hollywood-iane dhe rolin e vajzës së bukur por jo e mprehtë. Jeta e saj personale ka qenë një mishmash zgjedhjesh, ngjarjesh, vëmendje dhe njerëz të cilët në një mënyrë apo tjetër përcaktuan fatin e saj në ato vite të paqëndrueshme jo vetëm nga ana sentimentale por edhe emocionale e mendore.

Vajza koketë, mikja e ngushtë e diamanteve dhe padyshim e President Kenedy, pati një jetë ku tabutë e thyera ishin motivi i karrierës dhe i jetës, motiv që mbase përgjatë kohës së jetuar nuk i dhanë vëmendjen e duhur për çmime e vlerësime filmash, por i dhanë emrin e një personazhi që edhe pas 60 vitesh nga vdekja e saj më 4 gusht 1962, ajo mbetet një ikonë, një simbol i së bukurës dhe feminilitetit, i kontadiktores, konspiracionit e sekreteve. Ajo është thjesht Marilyn Monroe. Për këto e shumë të tjera, Albana Ruçi dhe Saix Dj vijnë me një speciale kushtuar saj, për një të dielë të veçantë!

E dielë, 18:00

Hosts & DJs