Celebrities Film & Tv Music Top Albania Radio Special

“LUX” nga Rosalía: Odiseja muzikore që ndryshoi rregullat e lojës…

Një episod special që i kushtohet një prej albumeve më të guximshme dhe më novatore të dekadës. Një artiste që ka tronditur kufijtë e muzikës bashkëkohore, që ka bashkuar traditën dhe teknologjinë, shpirtin dhe eksperimenti, Rosalia. Me rrënjët e saj të thella spanjolle, me pasionin e saj për flamenco-n, ritmin urban dhe ndikimet elektronike, ajo rikthehet me një univers krejt të ri: “LUX”.

Një album i kënduar në 13 gjuhë, një manifest shumëkulturor i zërit dhe i identitetit. “LUX” është më shumë se një projekt muzikor; është një eksplorim i ndriçimit dhe i errësirës, një përpjekje për të gjetur dritën mes kaosit të brendshëm. Me siguri të plotë them se është një përvojë që të tërheq, të përpin dhe të lë pezull midis emocioneve, aty ku Rosalia është më e fortë: në kontrast.

Kritika ndërkombëtare e ka quajtur “një simfoni të shpirtit modern”, një “labirint ndjenjash” dhe “momentin më të pjekur të karrierës së saj artistike”. Në këtë artikull, do t’i hyjmë në detaje çdo nuance të këtij albumi, nga simbolika, tek bashkëpunimet, tek tingujt që përplasen e bëhen poezi.

E nisim me këngën e parë të albumit “LUX”, një hapje që ngjall ndjesinë e tensionit, bukurisë dhe rebelimit që do ta ndjekë çdo sekondë të këtij projekti. Kjo është “Sexo, Violencia y Llantas.”

Rosalía Vila Tobella, ose thjesht Rosalía, është një nga figurat më të rëndësishme të muzikës bashkëkohore. E lindur në Barcelonë, ajo arriti të përmbysë kufijtë e flamencos tradicionale, duke e përzier me elektronikën, pop-in, hip-hop-in dhe eksperimentimin e lirë. Me çdo projekt, Rosalía ka treguar se arti i saj është një proces i vazhdueshëm rilindjeje.

Pas suksesit të jashtëzakonshëm të albumit Motomami në vitin 2022 dhe një turneu botëror po atë vit, ajo u nis në një seri prej njëzet koncertesh në festivale përmes Amerikës dhe Europës gjatë vitit 2023. Po atë vit, ajo publikoi EP-në e përbashkët RR me atëkohë të fejuarin e saj, Rauw Alejandro.

Në vitet që pasuan, Rosalía nisi një periudhë shumë intensive krijimtarie, duke bashkëpunuar me emra si Björk, Lisa dhe Ralphie Choo, bashkëpunime që treguan për një artistë që nuk rri në vend, por kërkon vazhdimisht tinguj e përmasa të reja.

Gjatë promovimit të Motomami, ajo kishte lënë të kuptohej se tashmë kishte filluar të “hartonte idetë” për projektin e saj të katërt. Në një intervistë në vitin 2024 për Highsnobiety, Rosalía shpjegonte:

“Ka qenë një proces. Kam ndryshuar shumë, por njëkohësisht, ende po përpiqem të kuptoj të njëjtat pyetje. Kam të njëjtat kërshëri për t’u përgjigjur.”

Në fund të atij viti, në mbrëmjen e Halloween-it, ajo doli e veshur me një kostum frymëzuar nga kopertina e albumit Imaginal Disk të grupit Magdalena Bay, me një CD në ballë ku shkruhej “R4” një shenjë e qartë për projektin e ri që po vinte. Madje, në listën e vendimeve për vitin e ri që publikoi në Instagram, ajo përfshinte edhe një frazë të thjeshtë, por shumë domethënëse: “të publikoj një album të ri”.

Në verën e vitit 2025, Rosalía filloi të lë vizualisht gjurmët e para të projektit që do të bëhej LUX. Revista Hits raportoi se ajo kishte firmosur me agjencinë e menaxhimit të Jonathan Dickins, të njohur për punën me Adele, dhe se albumi pritej të publikohej përpara fundit të vitit, me një turne arenash të planifikuar për 2026.

Në muajin gusht, postimet e saj në Instagram nisën të përfshinin simbole të përsëritura, pentagrame, studio regjistrimi dhe art katolik. Më vonë, ajo konfirmoi për Paper Magazine se këto postime ishin pjesë e një strategjie të vetëdijshme për të përgatitur publikun për epokën e re të saj.

Në të njëjtën periudhë, ajo u shfaq në kopertinën e Elle USA, duke deklaruar se albumi ende nuk ishte përfunduar, por se “nuk i ngjante aspak të mëparshmit.” Një version i intervistës për Elle España zbuloi pa dashje se projekti do të dilte në nëntor një artikull që më vonë u hoq menjëherë nga faqja.

Por momenti që ndezi vërtet kureshtjen ndodhi më 13 tetor, kur Rosalía publikoi në platformën Substack partiturën e një kënge ende të panjohur me titull “Berghain”. Brenda pak orësh, muzikantë dhe fansa nga e gjithë bota filluan të krijonin versionet e tyre, duke e kthyer këtë në një ngjarje virale. Të nesërmen, u shfaqën billboard-e misterioze në Madrid dhe New York, dhe më 19 tetor ajo publikoi një video ku dëgjohej një orkestër që luante një kompozim të quajtur Carmesí.

Dita tjetër solli zyrtarisht edhe njoftimin e madh: albumi do të titullohej LUX, dhe data e publikimit u zbulua përmes një transmetimi të drejtpërdrejtë në sheshin Callao në Madrid, me një ekran gjigant në Times Square dhe një lidhje live nga vetë Rosalía përmes TikTok dhe Instagram.

Që aty, filloi një epokë e re për të. Një periudhë ku ajo s’e shihte më dritën si diçka që duhet gjetur, por si diçka që ajo vetë e krijon. Pas kësaj shpalosjeje të profilit dhe rrugëtimit të saj, kalojmë te analiza e konceptit dhe tingujve të albumit, ku do të shqyrtojmë idetë dhe ndjesitë që “LUX” ngjall.

Pas gjithë periudhës enigmatike dhe pritjes, në tetorin e vitit 2025, Rosalía zbuloi albumin LUX, një projekt që në titull flet për dritën. Fjala “Lux” është latine për dritë, por për shumëkënd lidhet edhe me luksin, duke reflektuar zërin e saj grandioz, strukturat orkestrale dhe një botë që përzien shpirtëroren me të përjetshmen.

Në festën e dëgjimit të albumit në New York, mbi një perde të bardhë u projektuan dy pyetje reflektuese që përmbledhin thelbin e punës: kur ishte hera e fundit që ishe në errësirë të plotë dhe se ndonjëherë errësira totale është mënyra më e mirë për të gjetur dritën. Albumi është ndërtuar me katër lëvizje të qarta, secila me një tematikë dhe një udhëtim të veçantë: e para është një largim nga pastërtia, e dyta lidhet me gravitetin dhe paqen me botën, e treta përqendrohet te hiri dhe afrimi me Zotin, dhe e katërta përfaqëson lamtumirën dhe kthimin, duke mbyllur rrugëtimin shpirtëror në një mënyrë të plotë dhe të thellë.

Çdo këngë është frymëzuar nga jeta e një shenjti, dhe Rosalía ka studiuar dhjetëra hagiografi për të kuptuar konceptin e shenjtërisë përtej krishterimit, duke vëzhguar sesi ky fenomen manifestohet në kultura dhe tradita të ndryshme. Një temë kryesore që e përcjell albumin është mosfrika, një ndjenjë universale që e lidh njerëzimin pavarësisht vendndodhjes ose feve të ndryshme.

Kopertina e albumit është një imazh i fuqishëm: Rosalía shfaqet e veshur me një kostum të bardhë që ngjan si rrobë murgeshe apo si xhaketë spitali psikiatrik. Syri i mbyllur, buzët e arta, dhe krahët që e përqafojnë vetveten krijojnë një kombinim të sakrificës dhe çlirimit. Fotografi Noah Dillon ka realizuar një set të pasur me afro tetëdhjetë imazhe të ndryshme në versionin vinyl, duke krijuar një botë vizuale që shoqëron muzikën në çdo hap.

Nga ana filozofike, albumi është frymëzuar nga tekstet historike të shenjtoresh, mendimi i Simone Weil dhe shkrimet e Clarice Lispector. Rosalía ka theksuar rëndësinë e gjuhëve të ndryshme në këtë projekt, duke kënduar në trembëdhjetë gjuhë, nga arabishtja, frëngjishtja dhe japonishtja, deri te latinishtja, sicilianishtja, hebraishtja dhe gjuha katalanase. Gjuhët nuk përdoren thjesht si zbukurim, por secila ka një rol të plotë dhe lidhet me jetën e shenjtit që e ka frymëzuar. Në këtë mozaik gjuhësh, gjenden figura si Hildegard e Bingen, Olga e Kievit, Rabia Al-Adawiya, Miriam dhe murgesha budiste Vimala, gra që kanë kaluar përmes dhunës apo materializmit për të arritur ndriçimin shpirtëror.

Në këtë kontekst, kënga Berghain, bashkëpunimi me Björk dhe Yves Tumor, është pika ku graviteti dhe mistika përplasen më fort. Titulli i referohet klubit legjendar të Berlinit, simbol i ekstazës dhe errësirës, një vend ku trupi dhe shpirti shpërbëhen në ritëm. Kjo pjesë përfaqëson fazën e dytë të udhëtimit katërfazësh të albumit, ku njeriu bëhet “mik me botën” dhe drita fillon të ndizet brenda terrrit.

Konceptualisht, LUX është përshkruar si një udhëtim emocional me përmasa kinematografike, që kalon mes intimitetit dhe shkallës operatike, duke krijuar një univers ndriçues ku tingulli, gjuha dhe kultura bashkohen. Rosalía, e cila vjen nga një familje e krishterë, nuk ndjek një fe të caktuar, por ka një marrëdhënie të thellë me spiritualitetin dhe Zotin. Albumi është mënyra e saj për të kthyer diçka mbrapsht për gjithçka që ka marrë.

LUX përbën një përzierje të fuqishme midis mistikës dhe dimensionit njerëzor, duke trajtuar transformimin, feminitetin dhe shenjtërinë përmes gjuhës së tingullit. Reagimi i kritikës ka qenë unanime: albumi mori vlerësim maksimal në Metacritic dhe u konsiderua një ndër punimet më të rëndësishme të dekadës, me përshkrime që e lavdërojnë kompleksitetin, fuqinë vokale, origjinalitetin dhe ndikimin emocional. Brenda 24 orëve nga publikimi, albumi thyen rekorde në Spotify me mbi 42 milion dëgjime, duke u bërë projekti me më shumë dëgjime ditore nga një artiste hispanike në histori.

Pas çdo albumi të Rosalisë, publiku ka pritur gjithmonë të kuptojë se ku do të shkojë më pas dhe me LUX, ajo nuk zhgënjen. Albumi hapet me “Sexo, Violencia y Llantas”, një hyrje e papërmbajtur, ku ritmet mekanike përzihen me tinguj industrialë dhe një zë që tingëllon si një lutje, si një shpërthim sensualiteti dhe frike në të njëjtën kohë. Është një deklaratë force një mënyrë për të thënë: “Jam këtu, e zhveshur nga imazhi, e mbështjellë me dritë dhe baltë njëkohësisht.” Kjo këngë vendos tonin për një album që s’e ka më frikë trupin, dëshirën dhe dhimbjen.

Më pas vjen “Reliquia”, një himn i shenjtë dhe njerëzor në të njëjtën frymë. Këtu, Rosalia e përzien mistiken me materien është një ndërthurje midis nderimit dhe rebelimit. Tingujt barokë, strukturat korale dhe fryma e shenjtërimit i japin ndjesinë e një kishe që po digjet, por me dritën që del nga hiret. Në “Divinize” dhe “Porcelana”, ky transformim merr formë fizike: zëri i saj është më i përmbajtur, më i kthjellët, por në sfond vazhdon një tension i brendshëm si një trup që kërkon shpëtim përmes këngës. Janë këngë që flasin për adhurim, për ndjesinë e përjetshme të dualitetit: drita dhe errësira, qielli dhe toka, gruaja dhe miti.

Në “Mio Cristo Piange Diamanti”, kemi një kulm të ndjenjës, një vajtim që është njëkohësisht edhe shpërthim bukurie. Si një ikonë që qan me lot diamanti, ajo këtu arrin të bëjë atë që di më mirë: të kthejë dhimbjen në art, sakrificën në liri. Kjo lëvizje e parë përfundon me një ndjesi katarsisi, një pastrim, si një lutje që më në fund dëgjohet.

Në pjesën e dytë të albumit, fryma ndryshon. “Berghain”, në bashkëpunim me Björk dhe Yves Tumor, është pika e shpërthimit total, një univers ku trupi bëhet altar, dhe tingulli, një rit i egër. Është një këngë që nuk të lë të qëndrosh ulur. Frymë e klubeve të Berlinit, por me shpirt mistik. Është si të shohësh një shenjëtore që vallëzon mes dritave stroboskopike. “La Perla” dhe “Mundo Nuevo” e zbusin këtë valë: janë më tokësore, më prekëse, si frymëmarrje mes dy ekstazash. Në “De Madrugá”, Rosalia rikthehet tek origjina, tingujt e flamencos, por të përmbysur, si një kujtim që dëgjohet përmes murit të kohës. Kjo pjesë e albumit është si një rikthim në trup, në frymë, në tokë pas një udhëtimi qiellor.

Më pas vjen faza e tretë, ndoshta më personale. “Dios Es un Stalker” është një titull që vetëm ajo mund ta thoshte me kaq ironi dhe dhimbje. Një reflektim mbi mënyrën si hyjnorja dhe teknologjia janë përzier në kohën moderne si Zoti që të sheh nga ekrani i telefonit. Pastaj, “La Yugular” është një këngë që të shpon, si vetë titulli: një ndjenjë që kalon në damarë, një klithmë që ngjitet deri në fyt. Është ndoshta momenti më i zhveshur emocionalisht i albumit. “Focu ’Ranni”, “Sauvignon Blanc”, dhe “Jeanne” vazhdojnë këtë udhëtim përmes figurave të shenjta, grave që kanë sakrifikuar, dashuruar dhe luftuar. Janë himne për femrën si simbol i dritës dhe zjarrtësisë Rosalia e ngre gruan në rangun e një shenjtoreje moderne.

Dhe në lëvizjen e fundit, albumi shndërrohet në një falje. “Novia Robot” luan me idenë e dashurisë artificiale, të shpirtit që përpiqet të ruajë ndjenjën në një botë gjithnjë e më sintetike. “La Rumba del Perdón”, me zërat e Estrella Morente dhe Sílvia Pérez Cruz, është një kthim në rrënjë, një flamenco që s’ka më kufij, një falje, një rikthim, një lutje. “Memória”, në bashkëpunim me Carminho, është e qetë, si pasojë e një stuhie, një kujtesë që s’do të shuhet kurrë. Dhe albumi mbyllet me “Magnolias”, një këngë që është si fryma e fundit pas një udhëtimi të gjatë: delikate, e qetë, por plot jetë.

Në këtë pikë, dëgjuesi nuk është më në një album, por në një përvojë shpirtërore që përzien ndjenjën, devotshmërinë, trupin dhe artin në një të vetme. Rosalía ka krijuar një pasqyrë të shpirtit njerëzor të lëngshme, të thellë, të pamundur për t’u kapur plotësisht por pikërisht për këtë, aq të gjallë.

 

 

LUX është një album që të tërheq menjëherë në një botë të thellë shpirtërore dhe emocionale. Çdo këngë duket si një kapitull i veçantë, i ndërtuar me kujdes për të treguar një histori, për të eksploruar ndjenja dhe përvojat njerëzore nga një perspektivë e pasur dhe e shumëllojshme. Nuk është vetëm muzika ajo që të magjeps, por edhe mënyra se si tingujt, zërat dhe strukturat muzikore ndërthuren për të krijuar një rrjedhë të natyrshme dhe një ndjesi të lëvizjes së vazhdueshme.

Albumi i shfaqë jo vetëm talentin vokal të artistes, por edhe aftësinë për të luajtur me ndjenja komplekse, nga dhimbja dhe humbja, tek çlirimi dhe harmonizimi me vetveten dhe botën. Dëgjuesi ndjen një larmi të thellë të emocioneve: qetësi, pasiguri, ekstazë dhe reflektim, shpesh brenda së njëjtës këngë. Është një eksperiencë që kërkon vëmendje të plotë, sepse secili detaj ka rëndësi çdo melodie, çdo ndryshim ritmi, çdo frazë vokale ka një qëllim të qartë.

Ajo që veçon LUX është gjithashtu mënyra se si Rosalía i bashkon traditat e ndryshme kulturore dhe gjuhësore me muzikën bashkëkohore. Zërat, instrumentet dhe ritmet përdoren për të treguar histori njerëzore që tejkalojnë kufijtë e kohës dhe vendit. Ky album të bën të ndjesh se çdo tingull ka një kuptim më të thellë dhe çdo moment është i lidhur me një histori të madhe njerëzore.

Në fund, LUX nuk është vetëm për të dëgjuar; është për të reflektuar, për të ndjerë dhe për të kuptuar se si muzika mund të jetë një pasqyrë e brendshme, një udhëtim ku emocionet tona ndizen dhe intensifikohen. Nuk ka nevojë për shpjegime të drejtpërdrejta, sepse muzika flet vetë dhe çdo dëgjues mund të gjejë kuptimin e tij personal brenda saj.

Dhe kështu përfundojmë këtë udhëtim në botën e LUX. Një album që sfidon pritshmëritë, që bashkon shpirtëroren me të përjetshmen, dhe që tregon se muzika mund të jetë më shumë se tinguj, ajo është një përvojë, një dritare drejt emocioneve më të thella.

Rosalía ka krijuar një univers ku secili moment ka rëndësi, ku çdo tingull, çdo frazë, çdo gjuhë ka vendin e vet, dhe ku dëgjuesi bëhet pjesë e një rrëfimi që tejkalon kufijtë e kohës dhe kulturës. LUX është një dëshmi e fuqisë së artit për të na lidhur me veten, me të tjerët dhe me atë që është më e madhe se ne.

Nëse e dëgjoni me vëmendje, ndoshta do të gjeni dritën tuaj brenda errësirës, një ndjesi që zgjat edhe pasi albumi mbaron.

Tingujt e albumit mbeten të përjetshëm, duke ndezur brenda nesh dritën e përvojës dhe emocioneve që vetëm muzika e Rosalías di të japë.