Celebrities Live From Tirana

Varësia ndaj ushqimit, Anila Kalleshi fajëson industrialistët për këtë të keqe që po i bëjnë njerëzimit!

Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte e ftuar dietologia Anila Kalleshi për të folur rreth një tematike shumë të rëndësishme siç është varësia ndaj ushqimit. Çfarë është në fakt varësia ndaj ushqimit? Për këtë na flet më shumë vetë Anila.

Ushqimi është gjëja më e bukur jo vetëm për të kënaqur kënaqësitë tona por edhe për një mirëqenie të shendetit tonë. Ne shpesh shohim njerëz mbipeshë, nënpeshë, me sëmundje kronike, me probleme të shumta, që sëmuren shpejt, por a është kjo një problem nga një ushqyerje jokorrekte? Unë personalisht e pranoj që egziston varësia ndaj ushqimit. Në zyrën time më shfaqen njerëz që thonë se nuk rrinë dot pa ëmbëlsira, brumëra, ose pa fast food-e. Varësia ndaj ushqimit është si varësia ndaj drogërave, alkoolit, cigares dhe faji për këtë fillimisht është i industrialistëve që shpikin shije të veçanta për të tërhequr ata që duan t’i blejnë këto ushqime, duke i futur brenda sheqerna të tepërt, kripëra të ndryshëm me qëllimin për ta bërë ushqimin më tërheqës.

Më përpara ata që kanë shpikur këtë kanë shpikur fillimisht erëzat për të bërë që në trurin e njerëzve që i konsumojnë këto të rritet dopamina, që njihet si hormoni i kënaqësisë. Duke u rritur ky hormon personi ndihet shumë mirë kur e konsumon këtë ushqim edhe pse me vetëdije e di që mund t’i sjelli pasoja në organizëm. Nuk heqin dot dorë sepse është më e fuqishme ajo që i përcjell truri i tyre se sa ta shmangin këtë ushqim. 

Por, cilat janë në fakt ushqimet që krijojnë varësi?

Sheqeri i bardhë është vrasësi numër një. Personat që vuajnë nga sëmundje kancerogjene nëse do të konsumonin sheqer do të ushqenin qelizat kancerogjene me karburantin kryesor që është sheqeri. Një kanaçe pije me gaz ka 10 lugë sheqer brenda saj. Imagjino të konsumosh 2-3 të tilla në ditë. Sheqeri është në shumë forma, janë pafund llojet e tyre. Kemi glutenin i cili është një proteinë e frikshme dhe e cila gjendet te kokrrat e grurit, të elbit, të thekrës, të tërshërës dhe ka shumë njerëz që kur konsumojnë këto krijojnë një varësi të tmerrshme.

Trend-i më i ri është ndërthurja e shijeve, sa e shëndetshme është kjo?

Trend-i më i ri është që njerëzit po përpiqen të ndryshojnë shijet, për ta kamufluar ushqimin dhe për të bërë ty të kuptosh se po ushqehesh shëndetshëm. Trupi ka nevojë për sheqerin, për karbohidrate por në mënyrë të shëndetshme. Ne nuk e kuptojmë sa sasi sheqeri dhe kripe po marrim në momentin që konsumojmë diçka të tillë.

Nesë ke një regjim ushqimor dhe në ditëlindjen e një miku e “thyen” pak dietën, çfarë ndodh?

Një event nuk mund të bëjë mëkatin më të madh. Ushqimi është shije, është dashuri. Pse jo mos të shijojmë me miqtë, me të afërmit. Duket sikur del nga shoqëria, nga ambjenti. Nëse një person gabon në një event duhet të ketë ndërgjegjen e pastër për ditët ne vazhdim për të bërë një pastrim të asaj që ka konsumuar gjatë asaj dite. Nuk është problemi se po konsumon një dark me shoqërinë, por nëse bëhet pjesë e përditshme është problematike.

Për dietat drastike çfarë mendon Anila?

Unë jam ekstremisht kundër dietave që bëjnë përjashtime të kategorive kryesore të disa ushqimeve. Në ushqime ka makroelementë ka edhe mikroelementë që janë proteinat, yndyrnat, karbohidrate e që janë baza për një jetë të shëndetshme. Nëse përjeshtojmë një kategori, pra nëse një person konsumon vetëm mish apo sallatë do të ketë pasoja të mëvonshme. Ne njohim persona që kanë patur probleme të rënda shëndetësore si me veshkat. Ka patur persona që kanë konsumuar shumë karbohidrate dhe kanë patur rënie të tmerrshme të muskulaturës. Është e rëndësishme që në të dimë t’i marrim të gjitha këto elemente në sasira të kontrolluara dhe duke shtuar aktivitetin fizik i cili është shumë i rëndësishëm. Është njësoj si të kesh një makinë Ferrari dhe i vë një benzinë të keqe. Makina edhe pse është Ferrari do të ketë problematika. Janë të gjitha të ndërlidhura. Që një trup të funksionojë mirë duhet të marri të gjitha elementet që i nevojiten, pa harruar vitaminat dhe mineralet që janë esenciale. 

Cilat janë simptomat e një personi që ka krijuar varësi ndaj ushqimit?

Kanë këputje, lodhje, flokë të brishtë, probleme shëndetësore si diabeti, kolesteroli i lartë dhe një sërë patologjish të tjera. Ne konsumojmë shpesh ushqime që mendojmë se janë të shëndetshme dhe duke u bërë rutinë mund të kthehen në një varësi tjetër. Ushqyerja është çelësi bazë për një shëndet të trupit, investoni për shëndetin tuaj për të parandaluar një shpenzim kolosal kur shfaqet ndonjë patologji apo sëmundje.