Tech

Vendet ku ka mbërritur iPhone 16!

Në disa vende ku klientët kanë porositur paraprakisht iPhone 16, porosia e tyre tashmë ndodhet te dera. Bëhet e ditur se dërgesat e serisë së re të iPhone kanë nisur në Australi dhe Zelandën e Re. Siç raportoi fillimisht MacRumors, blerësit që porositën paraprakisht një pajisje të re Apple po ndajnë fotografi dhe rishikime të iPhone 16, Apple Watch Series 10 dhe AirPods 4. Bëhet e ditur se pas Zelandës së Re dhe Australisë, iPhone 16 do të dalë në shitje në Azi, Lindjen e Mesme dhe Evropë.

Amerikanët e Veriut do të jenë të fundit që do të kenë në dorë telefonat e rinj. Ndërsa dyqanet e Apple zakonisht hapen rreth orës 9:00 të mëngjesit, shumë vende do të fillojnë t’u shërbejnë klientëve në orën 8:00 të mëngjesit. Analisti Ming-Chi Kuo beson se Apple po përjeton një kërkesë më të ulët për modelet e avancuara të iPhone 16 dhe shitje më të larta për iPhone 16 standard, së bashku me iPhone 16 Plus.

Ndërsa këto pretendime bazohen vetëm në kërkesën fillestare, Kuo pohon se Apple ka shitur rreth 37 milion njësi gjatë fundjavës së parë të daljes në treg të iPhone-it të ri. Ai thotë se kjo është një rënie prej 12.7% krahasuar me debutimin e linjës iPhone 15. iPhone 16 Plus, i cili fillon me një çmim prej 899 dollarësh, është rritur me 48% krahasuar me iPhone 15 Plus të vitit të kaluar, pavarësisht se e gjithë linja e re ka ruajtur të njëjtat nivele çmimesh. Shitjet fillestare të iPhone 16 standard janë rritur me 10% krahasuar me fundjavën e debutimit të iPhone 15.

Apple ka konfirmuar se iPhone 16 dhe iPhone 16 Pro do të jenë telefonët e parë ndër vite që nuk do të përfshijnë ngjitëse Apple në paketim. Ky hap është pjesë e objektivave të kompanisë për të reduktuar ndikimin në mjedis. Ngjitëset do të jenë të disponueshme vetëm në dyqanet Apple dhe jo nga shpërndarësit e palëve të treta ose për porositë online. Ky ndryshim është në përputhje me iniciativën e Apple për të eliminuar paketimin plastik deri në vitin 2030, dhe paketimi i iPhone 16 do të jetë plotësisht i bazuar në fibra.