Njeriu më i fuqishëm i Gjeorgjisë fitoi zgjedhjet parlamentare të një dite më parë, sipas rezultateve paraprake zyrtare dhe kjo është një goditje për ata gjeorgjianë që shpresojnë për integrimin në Bashkimin Europian. Themeluesi i partisë Endrra Gjeorgjiane, miliarderi Bidzina Ivanishvili, opozita dhe diplomatët e huaj, iu referuan zgjedhjeve si “moment vendimtar që do të vendoste nëse Gjeorgjia do t’i afrohej Perëndimit ose do të anonte përsëri drejt Rusisë, në mes të luftës në Ukrainë”.
Rezultatet e para zyrtare, me 70% të zonave të numëruara e që përfaqësojnë shumicën e votave të hedhura, treguan se partia në pushtet kishte fituar 53%, siç njoftoi Komisioni i Zgjedhjeve. Rezultatet nuk përfshijnë shumicën e votave të hedhura nga gjeorgjianët që jetojnë jashtë vendit.
Sondazhet e kryera menjëherë pas përfundimit të procesit të votimit ofruan parashikime të ndryshme mbi rezultatin e zgjedhjeve. Sipas një sondazhi të kryer nga kanali televiziv “Imedi” e që mbështet Endrrën Gjeorgjiane, partia në pushtet ka fituar zgjedhjet duke siguruar 56% të votave.
Por sondazhet e kanaleve të pro-opozitës “Formula” dhe “Mtavari Arkhi” treguan se partitë opozitare pro-perëndimore, kishin fituar mbështetje të madhe, duke siguruar 83 vende në parlamentin me 150 deputetë.
Bidzina Ivanishvili, dikur kryeministër i partisë në pushtet, shpalli fitoren dhe lavdëroi qytetarët e Gjeorgjisë:
Eshtë një rast i rrallë në botë që e njëjta parti të arrijë një sukses të tillë në një situatë kaq të vështirë. Ky është një tregues i mirë i talentit të popullit gjeorgjian.
Megjithëse Endrra Gjeorgjiane humbi përballë opozitës në pjesë të kryeqytetit, Tbilisi, ajo fitoi deri në 90% në disa zona rurale. Opozita gjeorgjiane fillimisht kremtoi fitoren dhe disa vëzhgues raportuan shkelje zgjedhore. Por një numërim paralel i kryer nga një prej partive opozitare tregoi se Endrra Gjeorgjiane është në një pozicion të fortë për të fituar shumicën.
Ivanishvili, i cili bëri pasurinë e tij në Rusi në vitet ’90, mori pushtetin më 2012-ën duke mbrojtur pikëpamjet pro-perëndimore, bashkë me një politikë pragmatike ndaj Rusisë. Që atëherë, ai është acaruar me Perëndimin, duke e akuzuar se po kërkon ta tërheqë Gjeorgjinë në luftë me Rusinë, ndonëse këmbëngul se vendi është në rrugën e anëtarësimit në BE.
Nëse fitorja për partinë e Ivanishvilit konfirmohet, kjo do të ishte një goditje për shpresat e BE-së për të sjellë në orbitën e saj më shumë ish-republika sovjetike. Më 20 tetor, Moldavia votoi me një shumicë shumë të ngushtë për të mbështetur anëtarësimin në BE.
Vazhdimisht, Rusia kishte sinjalizuar se donte që Endrra Gjeorgjiane të fitonte ndërsa akuzoi vendet perëndimore për ndërhyrje të panevojshme në politikën gjeorgjiane. Nuk pati ndonjë koment të menjëhershëm nga BE-ja për zgjedhjet e djeshme.
Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zourabichvili, dikur aleate e partisë në pushtet por që u kthye në kritike të ashpër, si dhe vëzhguesit e pavarur vendas të zgjedhjeve pretenduan se “Endrra Gjeorgjiane ishte përfshirë në blerje të gjerë votash dhe forma të tjera abuzimi zgjedhor në prag të votimeve”.
Shoqata Ndërkombëtare për Zgjedhje të Drejta dhe Demokraci (ISFED), një grup i pavarur vëzhgues gjeorgjian i themeluar në vitin 1995, tha se “ka dokumentuar shkelje të shumta dhe raste të dhunës jashtë shumë qendrave të votimit”.
Giorgi Kalandarishvili, kryetar i Komisionit të Zgjedhjeve, deklaroi se votimi ishte i qetë dhe i lirë dhe tha se zgjedhjet u zhvilluan në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Gjeorgjia ishte dikur një nga shtetet më properëndimore që doli nga kaosi që pasoi rënien e Bashkimit Sovjetik. Rruga që të çon në aeroportin e Tbilisit mban emrin e ish-presidentit amerikan George W. Bush. Që nga agresioni rus në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, marrëdhëniet e Tbilisit me Perëndimin kanë pësuar rënie. Ndryshe nga shumë aleatë perëndimorë, Gjeorgjia nuk pranoi të vendoste sanksione ndaj Moskës ndërsa retorika e Endrrës Gjeorgjiane është bërë gjithnjë e më pro-ruse.
Endrra Gjeorgjiane ka nxitur zemërimin e aleatëve perëndimorë për atë që ata e konsiderojnë si prirjen e saj gjithnjë e më autoritare. Kryeministri hungarez Viktor Orban uroi Endrrën Gjeorgjiane për “fitoren e thellë”. Endrra Gjeorgjiane bëri një fushatë të fortë për ta mbajtur Gjeorgjinë jashtë luftës në Ukrainë, me pamje të fushatës që krahasonin qytetet e pacënuara gjeorgjiane me ato të shkatërruara ukrainase.