Bota

Zjarret në Europë, çfarë qëndron pas valës vdekjeprurëse?

Zjarret e mëdha në Europë po shkaktojnë më shumë dëme, duke u bërë më të vështirë për t’u shuar. Shkencëtarët paralajmërojnë se gjasat janë që të vazhdojnë kështu, pasi ndryshimet e klimës do të intensifikohen, nëse nuk merren masa. Dekadat e fundit, zhvendosjet masive të europianëve, nga fshatrat në qytete, lanë pas dore pyjet që janë në mëshirë të thatësirave e valëve të të nxehtit, gjithnjë e më i zakonshëm në mes të ngrohjes globale. Mjafton një shkëndijë e vogël që të mund të shkaktojë një “ferr”. Luftimi i zjarreve pyjore në Europë, kurrë më parë nuk ka qenë më i vështirë.

Çfarë po i shkakton zjarret e egra në Europë?

I ashtuquajturi “eksod rural” i kontinentit nisi në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, kur europianët u shpërngulën në qytete, në kërkim të një jete më të mirë. Ky eksod ka lënë zona të mëdha rurale pas dore, duke i bërë të cënueshme.

“Zonat pyjore janë të mbushura me materiale të djegshme”, – thotë Johann Goldammer, kreu i Qendrës Globale për Monitorim të Zjarrit, organ këshillues i Kombeve të Bashkuara. Te të tilla materiale, përfshihen trungjet e pemëve të kalbura, degët e rëna, gjethet e bari i thatë.
Kjo është arsyeja se përse kemi rrezik të paprecedentë nga zjarret e egra: sepse kurrë më parë në histori, të themi në 1 apo 2 mijë vitet e fundit, nuk ka pasur kaq shumë materiale të ndezshme përreth. Peizazhi po bëhet shpërthyes.

Pakujdesia me shkëndijat e vogla të zjarrit, ndonjëherë mjafton për të nxitur një zjarr të egër. Në Portugali, ku mbi 100 persona vdiqën nga zjarret e egra më 2017-ën, autoritetet deklaruan se 62 për qind e shpërthimeve të zjarrit po ndodhnin si pasojë e aktiviteteve bujqësore, siç është djegia e kashtës.

A është ngrohja globale faktor në zjarret e egra?

Ndryshimet klimatike i kanë shtuar një dimension të ri dhe të frikshëm zjarreve të egra, duke i bërë edhe më kërcënuese. “Kjo është veçanërisht e vërtetë në Europën Jugore, ku shpeshtimi i kushteve të motit që shkaktojnë zjarre, si temperaturat e larta, thatësira dhe erërat e forta i kanë bërë flakët e egra gjatë verës, një normë të re”. E këtij mendimi është Friederike Otto, ligjëruese e Shkencave Klimatike në Institutin Grantham për Ndryshime Klimatike në Kolegjin Mbretëror të Londrës.

Gjatë këtij muaji, nga Bashkimi Europian theksuan se në pesë vitet e fundit, Blloku ka qenë dëshmitar i zjarreve të egra më intensive në histori dhe se thatësira aktuale e kontinentit mund të përkeqësohet. Sipas Kombeve të Bashkuara, “rajoni i Mesdheut po nxehet 20 për qind më shpejt se mesatarja globale”.

Statistikat e BE-së për zjarret e dëshmojnë këtë problem.

Numri i fshatrave europianë të djegur është mbi trefish më shumë gjatë këtij viti, me pothuajse 450 mijë hektarë të shkrumbuar deri më 16 korrik, krahasuar me një mesatare prej 110 mijë hektarësh në të njëjtët muaj gjatë periudhës 2006-2021. Deri më 16 korrik, Europa ka qenë dëshmitare e pothuajse 1 mijë e 900 zjarreve të egra, krahasuar me një mesatare prej 470 zjarresh në vitet 2006-2021.

A kanë ndryshuar zjarret e egra?

Thatësirat dhe valët e të nxehtit që lidhen me ndryshimet klimatike e kanë bërë më të vështirë luftën me zjarret e egra, pasi kushtet klimatike i bëjnë që të përhapen më shpejt. Shkencëtarët argumentojnë se ndryshimet klimatike do të vazhdojnë ta bëjnë motin edhe më ekstrem e zjarret e egra do të jenë më të shpeshta e më shkatërruese.

Kjo përfshin të ashtuquajturat “megazjarre”, flakë aq të mëdha sa që praktikisht janë të pandalshme. Këtë vit, problemet e Spanjës me zjarret e egra nisën në fillim të pranverës, kur temperaturat në shumë qytete spanjolle arritën në mbi 40 gradë, vlera që zakonisht regjistrohen në mes të verës. Portugalia fqinje po ashtu regjistroi majin më të nxehtë në nëntë dekada, kur 97 për qind e tokës u klasifikua si thatësirë e madhe. Në Francë, maji i këtij viti ishte më i nxehti në histori.

Si të bashkëjetohet me më shumë zjarre të egra?

Shkencëtarët thonë se nuk ka vend për të humbur shpresën, pavarësisht pamjeve të tmerrshme të zjarreve e ngarkesës së shërbimeve të zjarrfikësve që po luftojnë me to. Sipas ekspertëve, “kjo nuk është vepër e Zotit, por në shkallë të madhe është e jona dhe ne kemi shumë fuqi që ta ndryshojmë gjendjen”.

Gjërat që mund të bëjmë për t’u përshtatur me situatën përfshijnë dhënien fund të djegies së lëndëve fosile dhe edukimin e njerëzve për ngrohjen globale.

“Menaxhimi i pyjeve gjithashtu duhet të rishikohet”, – tha Amila Meskin, këshilltare e politikave në Shoqatën Europiane të Pyjeve, me seli në Bruksel.

Projekte, të tilla si skemat e ruajtjes së ujit, përzierja e specieve pyjore dhe restaurimi i moçaleve kanë filluar të realizohen në disa shtete. Por, efektet e këtyre projekteve nuk pritet të shihen shumë shpejt. Planifikimi afatshkurtër në pyje mund të zgjasë mbi 50 vjet dhe për një ndryshim themelor do të duhen dekada.

Meskin deklaroi se sheh një mungesë të përgjithshme të interesimit në punët rurale dhe shtoi se ka vërejtur që pylltaria nuk është një biznes mjaft i popullarizuar. Kjo situatë, sipas saj, duhet të ndryshojë.

Ndoshta, shoku nga zjarret e egra do të nxisë një interesim të ri të publikut ndaj kujdesit të pyjeve. Eshtë një gjë shumë emocionale të shohësh pyjet duke u djegur. Eshtë një situatë shumë, shumë e trishtueshme.