Bota Rajoni

Athina në flakë/Në Europë, problem thatësira/Në Spanjë e Portugali mund të mos prodhohet më verë!

Flakët vazhdojnë të përpijnë periferinë verilindore të Athinës. Në këtë pjesë të kryeqytetit grek, zjarrfikësit e përfaqësuesit e mbrojtjes civile janë të angazhuar në betejën me to, çka duket e vështirë pasi vazhdimisht, zjarret ndryshojnë drejtimin, si edhe intensitetin. Vatra që shpërtheu pasditen e djeshme, nga mali i Pentelit u përhap shumë shpejt në zonat përreth, duke mbërritur në autostradën “Attiki Odos”, si edhe në Palini, Anthusa, Penteli, Drafi e Jerakas.

Tre avionë dhe pesë helikopterë iu bashkuan betejës, së bashku me 485 zjarrfikës, 120 makina zjarrfikëse e 28 ekuipazhe tokësore që operonin më poshtë, të ndihmuar nga zjarrfikës vullnetarë, cisterna të autoriteteve lokale dhe makineri të rënda. Përhapja e zjarreve favorizohet edhe nga erërat e forta, me shpejtësi mbi 80 km në orë, ndërsa avionët u ngritën në fluturim sapo zbardhi dita, për të intensifikuar operacionet për shuarjen e flakëve me ndërhyrje edhe nga ajri, përveçse nga toka. Ndërkohë, dronët pa pilotë përdoren për të transmetuar imazhe të vatrave të zjarreve.

Autoritetet greke thanë edhe se nuk kishte asnjë problem me rrjedhje gazi natyror nga zjarri i Pentelit, por kjo nuk e pengoi policinë që të kryente 600 evakuime të qytetarëve në vende të sigurta. Po ashtu, raportohet se pesë mesazhe u dërguan gjatë natës përmes numrit të Urgjencës 112, për të paralajmëruar banorët që duhet të evakuohen nga zonat përreth Pentelit, si edhe nga pjesët lindore të Jerakasit, Vula Pikermiut e Panorama Palinis, Palini, Nea Palini. Një tjetër njoftim ishte për të shmangur përdorimin e “Marathonos Avenue” nga autostrada “Attiki Odos”, pranë Pikermit, po për shkak të zjarreve.

Ndërsa me rritjen e temperaturave, Greqia preket nga zjarret, një tjetër problem në Europë është thatësira, edhe për shkak të atij që njihet si “Anticikloni i Azoreve”. Një studim i ri i botuar në “Nature Geoscience”, analizon evolucionin e anticiklonit gjatë mijëvjeçarëve të fundit e tregon se në 200 vitet e fundit është zgjeruar në ritëm më të lartë. Kjo është arsyeja pse disa zona të Europës, veçanërisht Spanja e Portugalia, po përjetojnë thatësirën më të keqe në historinë e tyre.

Në mesin e shumë parashikimeve, njëri thotë se deri në vitin 2050, sipërfaqja e gadishullit Iberik, e përshtatshme sidomos për rritjen e rrushit do të reduktohet nga 25 deri në 100%. Kjo do të thotë se për 30 vjet, në Spanjë dhe Portugali mund të bëhet e pamundur të prodhohet verë. Një tjetër, parashikon kolaps prej 30% të prodhimit të ullirit në Spanjën Jugore.