Në Tropojë, Parku Kombëtar i Valbonës kryeson mes vendeve më të preferuara e frekuentuara nga turistët vendas e të huaj, që zgjedhin ta vizitojnë, për të shijuar nga afër pamjet mbresëlënëse të maleve e luginave. Për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, ATSH, drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura të qarkut të Kukësit, Lefter Gjana tha sot se në 6 muajt e parë të vitit, pra nga janari 2022 e deri në fund të qershorit, Valbonën e kanë vizituar më shumë se 20 mijë e 500 persona, mbi 14 mijë e 200 prej tyre, shtetas të huaj.
Për turistët e shumtë që vizitojnë Valbonën ka terrene e atraksione të reja ende për t’u eksploruar, duke nxitur kështu aventurat turistike, si edhe iniciativat vendase, për të ofruar kushte e shërbime dinjitoze, në prezantimin e zonës.
Gjana shprehet se “turistët e huaj, të cilët e pëlqejnë shumë alpinizmin, kanë përshkuar edhe shtegun turistik nga Valbona në Theth”. Për Luginën e Valbonës, një nga bukuritë e rralla natyrore të vendit tonë, interesi sa vjen e rritet. Fundjavat shoqërohen edhe me pikun më të lartë të fluksit për të mos humbur pamjet fantastike të kësaj lugine që shtrihet në qendër të Alpeve. Gjatë verës, ofron klimën ideale për t’i shpëtuar temperaturave të larta e natyra është e pasur me varietete të përshtatshme për turizëm, peshkim e alpinizëm.
Rruga deri në Valbonë përshkruhet si një mrekulli më vete. Të paharrueshme pamjet e shpateve malore që bien thikë mbi ujin e liqenit të Komanit. Përrenjtë dhe luginat e vogla që lidhin liqenin me pellgun e Drinit krijojnë fjorde të vegjël që futen në brendësi të masiveve malorë. Krahas udhëtimit me tragetin Koman-Fierzë, janë dhe dy rrugë të tjera që të çojnë në luginën e bukur. Njëra kalon nga Kukësi, Hasi, Tropojë e Vjetër, Valbonë dhe tjetra nga Prizreni, Gjakova, Valbonë.
Në bujtinat e Valbonës, ndërtesa kryesisht dykatëshe të stilit tradicional, me çati të pjerrëta e në të rrallë edhe me tjegulla, vizitorët gjejnë ushqime tradicionale, shtrojë e mbulojë, krahas peizazhit stinor mahnitës.
