Parku i energjisë së erës në Tropojë, me kapacitet të pritshëm prej 600 MW, pritet të hyjë në rrjetin e prodhuesve të energjisë së rinovueshme brenda 12 muajve. Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama, teksa tha se ky projekt, që po zhvillohet nga kompania amerikane CWP, është finalizimi i një përpjekjeje 2-vjeçare.
Finalizojmë një përpjekje 2-vjeçare, përpjekje e përbashkët me kompaninë e njohur për të gjithë procesin përgatitor. Ne shpresojmë që gjithçka të shkojë ashtu si duhet dhe ky park i madh i energjisë së erës në Tropojë të hyjë në rrjetin e prodhuesve të energjisë së rinovueshme në vendin tonë.
Rama theksoi se ky investim është pjesë e objektivit madhor për ta bërë Shqipërinë një vend sovran në prodhimin e energjisë. Ndërkaq, kujtoi se për një periudhë të gjatë, vendi ka qenë i varur thuajse plotësisht nga hidrocentralet, duke u detyruar të blejë energji me çmime të larta në tregun ndërkombëtar.
Për një periudhë të gjatë kemi patur një varësi të plotë nga uji dhe kemi trashëguar një sistem me aq shumë të çara saqë kur na ka munguar shiu, na është dashur të dalim në tregun ndërkombëtar të blejmë me çmime të kripura dhe kur shiu ka ardhur me shumicë, shumë nga kjo vlerë potenciale që është uji, të derdhet dhe jo vetëm të mos kthehet në energji, por të shkaktoje edhe dëme të jashtëzakonshme.
Koha kur Shqipëria duhet të dalë në treg për të blerë energji po shkon drejt fundit. Ne do të jemi në kategorinë e atyre jo shumë vendeve që gëzojnë pavarësi të plotë kur vjen puna te prodhimi i kësaj lënde vitale për organizmin e një shteti.
Kryeministri nënvizoi se uji do të mbetet burimi kryesor i prodhimit, por energjia e diellit dhe erës po zënë gjithnjë e më shumë vendin e tyre. Sipas kreut të qeverisë, deri në fund të dekadës, në vizionin “Shqipëria 2030”, burimet e rinovueshme pritet të përbëjnë 30% të prodhimit energjetik, duke garantuar vetë-mjaftueshmëri dhe mundësi eksporti të energjisë.
Uji, sigurisht do të mbetet burimi kryesor i prodhimit, por ku energjia e diellit dhe erës kanë filluar të zënë vendin e tyre, vend që deri në fund të kësaj dekade, në Shqipërinë 2030 do të jetë 30% dhe me këtë, ne do kemi të garantuar se sistemi ynë do të jetë i vetëmjaftueshëm e çdo gjë që do prodhojmë përtej nevojave tona, do ta eksportojmë.