I shtruar në spital prej më shumë se dy javësh, i prekur nga një pneumoni e dyfishtë, Papa Françesku ka kaluar edhe një natë të qetë e tani po pushon, siç njoftoi sot Vatikani. Ati i Shenjtë u shtrua në spitalin Gemelli të Romës më 14 shkurt dhe fillimisht u tha se po vuante nga bronkiti, por më pas u kuptua se kishte diçka më serioze.
Sipas informacioneve të publikuara një ditë më parë lidhur me gjendjen shëndetësore të Papës, Vatikani informoi se “gjendja e Atit të Shenjtë po vazhdon të shfaqë shenja përmirësimi”, por prognoza e tij po vijon që të monitorohet për shkak të situatës komplekse klinike.
Në dy vitet e fundit, Françesku është përballur me probleme shëndetësore. Ndërkaq, duket se është i prirë që të ketë infeksione në mushkëri, pasi kur ishte i ri pati hequr një pjesë të mushkërisë.
Pneumonia e dyfishtë është një infeksion serioz i dy mushkërive që mund të shkaktojë inflamacion dhe të vështirësojë frymëmarrjen. Vatikani deklaroi se të shtunën, Françesku përjetoi një “krizë të zgjatur të frymëmarrjes”, por kriza të tilla nuk ka pasur që atëherë. 88 vjeçari është drejtues i Kishës Katolike që nga viti 2013, pra prej rreth 12 vitesh.