Aktualitet

Vdekja e 15-vjeçarit pasi u godit me thikë në zemër, shokët e tij të klasës me dedikim prekës: Pse na ike Erion?!

Nxënësit e klasës së 15-vjeçarit Erion Boba në gjimnazin “Dom Nikoll Kaçorri” në Durrës kanë shkruar sot një mesazh prekës në tabelën e klasës, duke shprehur dhembjen e madhe për humbjen e parakohshme të jetës së shokut të tyre dhe boshllëkun që ai ka lënë pas.

Me fjali të thjeshta, por të mbushura me trishtim, ata kanë kujtuar djalin çapkën, duke e cilësuar një djalë të sjellshëm e gazmor.

Mësohet se nesër, nxënës dhe mësues të shkollës do të udhëtojnë drejt Bulqizës për t’i bërë nderimet e fundit Erionit, në një ditë që pritet të jetë e rëndë jo vetëm për familjen dhe të afërmit, po dhe për ta, tashmë të tronditur nga humbja e rëndë.

LEXO EDHE: Lufta kundër krimit të organizuar, SPAK nënshkruan 5 memorandume me vendet e Amerikës Latine

15-vjeçari Erjon Boba që u godit me thikë në Durrës disa ditë më parë!

Ngjarja 

Një 14-vjeçar në Durrës plagosi me thikë shokun e shkollës vetëm se ky i fundit i kërkoi sqarim se pse e shante e ofendonte. I plagosuri, 15-vjeç, nxënës i shkollës “Dom Nikollë Kaçorri”, në Durrës ishte në gjendje kritike, pasi thika e kishte kapur në zemër.

Jashtë kameras i ati, deklaronte më herët se nuk është momenti për të folur mbi konfliktin, pasi presin të përmirësohet shëndeti i djalit. Ndërkohë nuk kanë munguar vullnetarët që kanë dhuruar gjak. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 të së martës, vetëm 20 minuta në këmbë nga shkolla “Dom Nikollë Kaçorri”, ku mësojnë të dy nxënësit e përfshirë në konflikt.

LEXO EDHE: Vrasja e biznesmenit Mondi Mëhalla në Elbasan, caktohet data për dhënien e masës së sigurisë për Nevzat Spaho

Burimet policore thanë se sherri nisi nga një koment në rrjetet sociale dhe ofendimeve të vazhdueshme në shkollë, të cilat më pas degraduan në plagosje me thikë. Dyshohet se 15-vjeçari i plagosur e kishte marrë në telefon autorin 14-vjecar për të kërkuar sqarime, pasi kishte dëgjuar se ai e shante vazhdimisht në shkollë.

Ata u dakorduan të takoheshin për tu sqaruar ku të pranishëm kanë qenë dhe shokë të tjerë të dy palëve. Autori është vendosur në pranga nga policia, ndërsa të tjerët dhanë dëshmi në prani të psikologut. Policia vazhdon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.