Aktualitet

Vdekja e të miturit në QSUT, reagimi i policisë!

Policia e Korçës reagoi me një njoftim zyrtar për vdekjen e 14-vjeçarit Leo Sadiku, banues në fshatin Pocestë të Maliqit. I mituri humbi jetën në QSUT ku po trajtohej për simptoma gripi dhe COVID-i.

Më datë 08.01.2025, në QSUT, Tiranë, ka humbur jetën, një 14-vjeçar, banues në fshatin Pocestë, Maliq. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas ka humbur jetën, për shkaqe natyrale (arrest kardiak).

Nga spitali i Korçës, mjekët sqaruan se 14-vjeçari pati një stabilizim shëndetësor më 31 dhjetor e me dëshirën e familjarëve u largua nga spitali. Gjatë shtrimit ishte mjekuar me antibiotikë, perfuzione e ilaçe për barkun.

I gjithë mjekimi u bë mbi rezultatet e analizave. Në datën 7, kur përsëri u paraqit në urgjencën spitalore të Korçës, u bë stabilizimi i gjendjes shëndetësore edhe pse u paraqit në situatë shumë të rënduar në spital. Për shkak të simptomave, të njëjta për disa diagnoza, u dërgua menjëherë në kryeqytet për mjekim të specializuar e për ekzaminime të thelluara shëndetësore.

Prokuroria e Korçës ka nisur hetime mbi shkaqet e ngjarjes.

Ndërkaq, QSUT-ja deklaroi se i mituri ishte diagnostikuar me miokardit akut, një sëmundje e rrallë dhe e rrezikshme, që shoqërohet me shkallë të lartë të vdekshmërisë.

Pavarësisht kujdesit maksimal dhe trajtimeve të kryera sipas protokolleve mjekësore, ndarja nga jeta e pacientit ka qenë e pamundur të parandalohet. Pacienti L.S. është hospitalizuar në Spitalin Pediatrik të QSUT-së më 7 janar 2024 dhe ka ndërruar jetë më 8 janar 2025, në orën 01:45, në Shërbimin e Terapisë Intensive Pediatrike.

Pas ekzaminimeve të kryera, pacienti u diagnostikua me miokardit akut, një sëmundje e rrallë dhe e rrezikshme, që shoqërohet me shkallë të lartë të vdekshmërisë. Pavarësisht kujdesit maksimal e trajtimeve të kryera sipas protokolleve mjekësore, ndarja nga jeta e pacientit ka qenë e pamundur të parandalohet.