Aktualitet Health & Beauty

Trajtim mjekësor për transgjinorët në Shqipëri, ja çfarë duhet të dini!

Për herë të parë, Shqipëria miraton një protokoll zyrtar për trajtimin hormonal të personave transgjinorë në sistemin publik shëndetësor. Urdhri i firmosur nga zëvendësministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini, parashikon ofrimin e shërbimit në QSUT, me mbulim nga fondet publike.

Në urdhër përcaktohet se terapia hormonale mund të nisë nga mosha 16 vjeç, pas vlerësimit nga specialistët dhe me miratim familjar. Në raste të veçanta, trajtimi mund të konsiderohet edhe për adoleshentë nga 14 vjeç. Në dokument nënvizohet se trajtimi mjekësor për personat transgjinorë mund të përfshijë vlerësimin e sjelljes, terapinë hormonale, ndërhyrjet kirurgjikale.

Sipas dokumentit zyrtar, protokolli përfshin:

terapi hormonale për persona transgjinorë adultë;

trajtim me testosteron për tranzicionin femër-në-mashkull;

trajtim me estrogjen dhe anti-androgjenë për tranzicionin mashkull-në-femër;

monitorim të vazhdueshëm nga mjekë specialistë, kryesisht endokrinologë;

analiza laboratorike dhe vlerësim psikologjik/psikosocial para nisjes së trajtimit.

Miratimin e Udhëzuesit të Praktikës Klinike “Për trajtimin hormonal të personave transgjinorë” dhe Fletën e Pëlqimit të Informuar, sipas tekstit bashkëlidhur. Ngarkohen mjekët dhe personeli shëndetësor i shërbimit të Endokrinologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për pajisjen, njohjen dhe zbatimin e këtij udhëzuesi, thuhet në udhëzues.

Udhëzuesi mbështetet në standardet dhe rekomandimet e shoqatave ndërkombëtare, përfshirë Shoqatën Endokrine, Shoqatën Amerikane të Endokrinologjisë Klinike (AACE) dhe Shoqatën Botërore Profesionale për Shëndetin Transgjinor (WPATH).

Trajtimi hormonal nuk rekomandohet për personat me disforizim gjinore/inkongruencë gjinore para pubertetit. Mund të ketë arsye bindëse për të filluar trajtimin e hormoneve seksuale para moshës 16 vjeç, megjithëse ka përvojë minimale të publikuar për trajtimin e moshës 13.5 deri në 14 vjeç.

Dokumenti rekomandon gjithashtu mbajtjen e niveleve fiziologjike të hormoneve të përshtatshme për gjininë dhe monitorimin e vazhdueshëm për rreziqet dhe komplikimet e njohura.

Ky është protokolli i parë zyrtar në Shqipëri që rregullon trajtimin hormonal të personave transgjinorë në sistemin publik shëndetësor.