Rajoni

Vdes një vajzë që u plagos gjatë të shtënave në shkollën në Beograd

Në Klinikën e Fëmijëve në Tirshova të Beogradit, një vajzë që ishte plagosur gjatë sulmit me armë zjarri në shkollën fillore “Vlladisllav Ribnikar”, ka vdekur.

Lajmin e ka konfirmuar Ministria e Shëndetësisë për televizionin publik serb. Vajza kishte pësuar lëndime serioze gjatë të shtënave masive që ndodhën më 3 maj në shkollën në Beograd.

Tetë nxënës dhe roja e sigurimit u vranë gjatë sulmit me armë zjarri, që u krye nga një djalë 13 vjeç. Pas ngjarjes, qeveria serbe njofton për ashpërsimin e masave për posedimin e armëve të zjarrit.

Me vdekjen e nxënëses që ishte e hospitalizuar, numri i viktimave nga ky rast arrin në dhjetë.

Në oborrin e shkollës u gjet dhe u arrestua nxënësi i kësaj shkolle, K. K. (13), i cili dyshohet se ka kryer këtë vepër, tha po ashtu policia.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se i dyshuari do të vendoset në një institucion psikiatrik, ndërsa shtoi se një ndër masat që Serbia do të ndërmarrë është rritja e numrit të policëve nëpër shkolla.

“Nuk mund t’i kthejmë fëmijët te prindërit e tyre, por duhet të kërkojmë të gjejmë shkaqet, të shohim përgjegjësinë e secilit prej nesh, të kërkojmë zgjidhje ashtu që diçka e tillë, sado e paparashikueshme dhe e papritur, të mos ndodhë më kurrë”, tha Vuçiq.

Ndër të tjera, Vuçiq hartoi një plan se si të të parandalohet një ngjarje e tillë në të ardhmen, teksa propozoi të vendoset moratorium për lëshimin, mbajtjen dhe mbajtjen e armëve në dy vitet e ardhshme.

Shefi i Departamentit të Policisë së Beogradit, Vesellin Milliq, bëri të ditur se i dyshuari kishte një muaj që planifikonte sulmin dhe se ai vetë kishte raportuar se e kishte kryer krimin.