Shqipëria ka bërë revolucion në ofrimin e shërbimeve publike online, por po gjen pak përdorim nga personat mbi 55-vjeç. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT-it, vetëm 6% e tyre ishin në gjendje të shkarkonin e të printonin dokumente nga e-government, më 2022-shin.
Në grupet e tjera të popullsisë përdorimi i e-Albania/s për shkarkimin e dokumenteve ka qenë më i lartë. Rreth 33% e grupmoshës 25-34 vjeç e përdorin e-Albania/n për të shkarkuar dokumente, por përqindja vjen e ulet në grupet më të mëdha të popullsisë.
Por, vitin e kaluar pati një rritje të ndjeshme të familjeve me internet. INSTAT raporton se 96.5% e familjeve kishin internet më 2022-shin, me një rritje 8 pikë përqindje, në raport me një vit më parë.
Në fund të vitit 2019, qeveria shqiptare vendosi fillimin e “Revolucionit Dixhital të shërbimeve publike”. Nga 1 janari 2020, nisi një proces i ri duke ofruar aplikime për shërbime publike vetëm online për qytetarët dhe bizneset. Më 1 maj 2022, filloi jo vetëm aplikimi për shërbimet publike, por edhe ofrimi i dokumentit përfundimtar me vlerë ligjore të plotë.
Shqipëria tani ofron 95% të të gjitha shërbimeve publike vetëm online me vulë/apo me nënshkrim elektronik në fund. Deri më 2026-ën, qeveria shqiptare synon dixhitalizim të mëtejshëm të shërbimeve publike. Planifikohet integrimi i teknologjive të reja si blockchain, inteligjencë artificiale, për të përmirësuar cilësinë e ofrimit të shërbimeve.
Për të rritur numrin e shërbimeve që merren në kohë reale me vulë elektronike synohet të vijohet me investime për dixhitalizimin e arkivave fizike dhe rritjen e numrit të sistemeve elektronike që ndërveprojnë me njëra-tjetrën në Platformën Qeveritare të Ndërveprimit.
Ndër sfidat kombëtare është edhe njohja e nënshkrimit dhe vulës elektronike fillimisht në vendet e rajonit, për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe bërjes së biznesit me Ballkanin Perëndimor e më pas me vendet e Bashkimit Europian.
Në fokus do të jetë dhe përshtatja e platformës e-Albania për përdorim dhe nga personat me aftësi ndryshe, të cilët aktualisht hasin vështirësi në marrjen e shërbimeve publike online./Monitor