Politikë

“Vjedhjet në energji tejkalojnë vjedhjet në çdo sektor tjetër”, Berisha: Në 12 vite, koha për investimet ndaloi

Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë prezantimit të programit “Energjia & Burimet Natyrore”, u shpreh se qeverisja demokrate ka si synim shndërrimin e vendit në një superfuqi energjetike në rajon.

“Ne duam të përdorim çdo burim energjie për të ua shitur shqiptarëve më lirë energjinë.  Ky është një qëllim madhor i yni. Por ne do të përdorim çdo burim energjie, për të shumëfishuar prodhimin e saj dhe për ta eksportuar”.
‘Made in Albania’ do të jetë motoja e krenarisë kombëtare. Shqiptarët duhet të krenohen me markën ‘Made in Albania’ me prodhimin ‘Made in Albania’”, u shpreh Berisha gjatë takimit me ekspertë të fushës.

Kreu i PD, Sali Berisha deklaroi gjatë takimit me ekspertë të fushës së energjisë, se në 12 vitet e qeverisjes së majtë, u anuluan kontratat e investimeve në sistemin energjetik.

“I morën që ti vilnin gjithçka. Po të cilësonin moton e tyre në energji, para së gjithash vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje. Vjedhjet në energji, garantojë qytetarët shqiptarë se tejkalojnë vjedhjet në çdo sektor tjetër”, tha lideri i opozitës, Sali Berisha.

“Shqipëri ka rënie të prodhimit të energjisë elektrike. Nga viti 2023 në vitin 2024, eksportet kanë rënë me 32 përqind”, kështu u shpreh gjatë takimit me ekspertët e fushës së energjisë, kreu i PD, Sali Berisha.

LEXO EDHE: Koalicioni “Shqipëria Madhështore”/ Berisha zbulon projektet!

Sipas tij, ka 6 semestra që prodhimi në këtë vend, bie nga semestri në semestër, por vetëm një Shqipëri Madhështore do mund të japë përgjigjen më të shkëlqyer, problemeve të mëdha të akumuluara.

“Por a jemi ne realistë në këtë? Jemi shumë realistë, sepse po të kthehemi pak vite mbrapa, me moton ‘Shqipëria superfuqi e vogël rajonale e energjisë së rinovueshme’ u licencuan me një praktikë më transparente që ekzistonte, u firmosën kontrata për ndërtimin e 432 hidrocentrale. Në total një investim prej 5 miliardë euro”, tha Berisha.

Më poshtë fjala e plotë:  

Së pari, ju përshëndes shumë përzemërsisht ju, ekspertëve të shquar të këtyre fushave të një rëndësie të jashtëzakonshme, për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë.
Përshëndes panelistët për ekspozetë e shkëlqyera dhe departamentin për punën e madhe që ka bërë.
Të dashur miq!
Ne kemi shpallur si objektiv kryesor të programit tonë ‘Shqipërinë Madhështore’. Por theksoj këtu se nëqoftëse ka një fushë në të cilën ky program, ky objektiv ka themelet më të forta dhe më të sigurta, është fusha e energjisë dhe fusha e pasurive natyrore, mineraleve, mbasi Shqipëria është vend me një potencial të jashtëzakonshëm, energjetik, të energjisë së rinovueshme dhe tashti edhe të energjisë termike.
Kështu që nëqoftëse ka një fushë ku shqiptarët mund të ëndërrojnë ‘big’, mund të kenë ëndërra të mëdha është fusha e energjetikës.
Por edhe nëqoftëse ka një fushë e cila është themelore për zhvillimin e të gjitha fushave të tjera është fusha e energjisë.
Në rast se, nga viti jo i afërt tashmë, 2006-2007 patëm deklaruar Shqipëria superfuqi e vogël e energjisë së rinovueshme në rajon, tani këtë e vogël mund ta heqim dhe në projektin ‘Shqipëria Madhështore’, Shqipëria mund të bëhet realisht një superfuqi energjetike në rajon. Dhe do të bëhet.
Në programin tonë, ne duam që Shqipërinë ta shndërrojmë në një superfuqi energjetike të rajonit, në të cilin përfituesit më të parë do të jenë qytetarët shqiptarë.
Ne duam të përdorim çdo burim energjie për të ua shitur shqiptarëve më lirë energjinë.
Ky është një qëllim madhor i yni.
Por ne do të përdorim çdo burim energjie, për të shumëfishuar prodhimin e saj dhe për ta eksportuar.
‘Made in Albania’ do të jetë motoja e krenarisë kombëtare. Shqiptarët duhet të krenohen me markën ‘Made in Albania’ me prodhimin ‘Made in Albania’.