Pagesat me kartë bankare regjistruan përsëri një rritje të fortë vitin e kaluar dhe prekën vlerat më të larta historike në numër dhe në vlerë transaksionesh. Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, gjatë vitit 2024, pagesat me kartë në terminalet POS (pikat elektronike të shitjes) arritën në pothuajse 19.6 milion, me një rritje prej 35% krahasuar me një vit më parë.
Në vlerë transaksionesh, pagesat me kartë vitin e kaluar arritën në 64.1 miliardë lekë, 30% më shumë krahasuar me vitin 2023. Për vitin 2024, volumi i pagesave në terminale POS përbënte 16% të vlerës totale të veprimeve me karta, nga 14.5% që kishte qenë pesha e këtyre veprimeve një vit më parë.
Pagesat me kartë në vitet e fundit janë nxitur sidomos nga shtimi i numrit të turistëve të huaj. Kërkesa nga turistët e huaj për të paguar me kartë ka shtyrë një numër më të madh biznesesh të pranojnë pagesa me këto instrumente. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i terminaleve POS për pranimin e pagesave me kartë në fund të vitit të kaluar arriti shifrën rekord prej 24 470, në rritje me 27.6% krahasuar me një vit më parë.
Ndërsa numri i kartave bankare aktive të lëshuara nga sektori bankar shqiptar arriti në 1.51 milion, në rritje me 5.6% krahasuar me një vit më parë. Numri i kartave të debitit arriti në 1.32 milion, në rritje vjetore me 6.7%.
Ky produkt ngelet dominues dhe përbën pothuajse 88% të numrit të përgjithshëm të kartave bankare. Karta e debitit është një instrument bazë pagese, i lidhur me llogaritë rrjedhëse të bizneseve dhe individëve. Ndërkohë, viti 2024 dhe tremujori i fundit solli rënie në segmentin e kartave të kreditit. Në fund të vitit të kaluar, sektori bankar raportonte pak më shumë se 113 mijë karta krediti aktive, me një rënie vjetore prej 5.3%.
Pavarësisht rritjes së shpejtë të pagesave me kartë në vitet e fundit, edhe me shtysën e turizmit, sërish vlerësohet se ekonomia shqiptare karakterizohet nga një shkallë e lartë e përdorimit të parasë cash, fenomen i lidhur me informalitetin dhe evazionin fiskal, shkallën e edukimit financiar, por pjesërisht edhe me kostot që bartin për tregtarët skemat e pagesës me kartë.
Në muajin janar, Banka Qendrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan me Bankën e Italisë marrëveshjen e bashkëpunimit mbi nisjen e projektit për krijimin e sistemit të pagesave të shpejta në vendet e Rajonit. Marrëveshja e bashkëpunimit parashikon që Banka e Italisë të ofrojë një sistem pagesash të shpejta, të bazuar në një kopje të shërbimit TIPS, platforma europiane për shlyerjen e pagesave në kohë reale.
Platforma e re që do të jetë funksionale brenda 18 muajve nga nisja e punës (e planifikuar për javët e ardhshme) do të mundësojë kryerjen e pagesave në të gjitha monedhat e vendeve pjesëmarrëse. Sistemi i pagesave të shpejta pritet të sjellë një alternativë më të lirë e më të shpejtë për pagesat nga konsumatori te biznesi dhe për të rritur nivelin e përdorimit të pagesave elektronike.
Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, përdorimi i pagesave të shpejta mund t’i kursejë qytetarëve, bizneseve, aktorëve të tregut dhe ekonomisë shqiptare, rreth 35 -40 miliardë lekë. Adoptimi i një sistemi pagesash të shpejta sjell një sërë përfitimesh në nivel kombëtar, duke filluar me nxitjen e efikasitetit të ekonomisë, rritjen e përfshirjes financiare dhe reduktimin e ekonomisë informale.
Sipas parashikimeve të Bankës së Shqipërisë, sistemi i pagesave të shpejta do të sjellë një rritje drastike të pagesave elektronike në tregun shqiptar./Monitor