Duke theksuar se ka nisur një fushatë dezinformimi, policia reagon pas deklaratave në media të babait të shokut të Martin Canit, duke theksuar se ka pamje filmike dhe se nuk ka autor të dytë në ngjarjen e rëndë të 18 nëntorit, pranë shkollës 9 vjeçare “Fan Noli” në qendër të Tiranës. Blutë theksojnë se nga dëshmitë dhe pamjet në vendngjarje, nuk implikohet një autor i dytë. Në një deklaratë, theksohet:
Policia e Shtetit vëren se burime të caktuara janë angazhuar në një fushatë mediatike dizinformimi, lidhur me vrasjen e 14-vjeçarit nga një bashkëmoshatar i tij, në një distancë rreth 200 metra nga shkolla “Fan Noli” në Tiranë.
Policia e Shtetit disponon dëshmi të personave të përfshirë në konflikt dhe pamje filmike në afërsi të vendit të ngjarjes ku ka ndodhur tragjedia dhe në kushtet e ndalimit ligjor për publikimin e tyre, informon opinionin publik se nga hetimet e deritanishme nuk implikohet një autor i dytë i përfshirë në këtë ngjarje.
Për të ezauruar çdo pretendim dhe sqaruar çdo detaj në funksion të së vërtetës e të shërbimit deri në fund të drejtësisë, është marrë në pyetje nga grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorit të çeshtjes dhe prindi i të miturit të dëmtuar L.M. në lidhje me pretendimet e tij të cilat do të vlerësohen në raport me të gjitha provat e faktet e tjera të administruara gjatë këtij hetimi.
Nga ana e Policisë Gjyqësore në drejtimin e prokurorisë po kryhen veprime intensive per zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe individualizimin e përgjegjësive penale të personave konkretë. Çdo keqpërdorim i tragjedisë së humbjes së një jete, nga ana e mediave, dëmton sekretin hetimor dhe dizinformon opinion publik.