Yield-et e bonove 12 mujore të thesarit ka zbritur në nivelet më të ulët të 11 muajve të fundit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në ankandin e parë të muajit korrik yield-i mesatar i ponderuar i këtyre instrumenteve shënoi nivelin 3.09%, i njëjtë me ankandin e fundit të muajit qershor. Niveli aktual i yield-eve është më i ulët që prej fillimit të gushtit të vitit të kaluar.
Yield-et e bonove të thesarit kanë ndjekur një tendencë të vazhdueshme në rënie në gjysmën e parë të vitit 2023. Kjo tendencë i detyrohet rënies së inflacionit, frenimit të rritjes së normave të interesit nga Banka e Shqipërisë dhe likuiditetit të lartë në tregun financiar dhe sidomos atë bankar, që është edhe financuesi kryesor i borxhit të brendshëm të qeverisë.
Nga 5 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, shuma totale e kërkesave të paraqitura në ankand arriti në më shumë se 8 miliardë lekë. Pro rata apo pjesa e pranuar e ofertave konkurruese rezultoi sërish e ulët, në nivelin 30%.
Pas një kursi agresiv të normalizimit monetar gjatë vitit 2022, Banka e Shqipërisë këtë vit e ka rritur vetëm një herë normën bazë të interesit, me 0.25 pikë përqindje, në muajin mars.
Norma bazë u konfirmua e pandryshuar në 3% edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikëqyrës, në 5 korrik. Aktualisht, Shqipëria ka një normë bazë interesit ndjeshëm më të ulët se Eurozona dhe se shumica e vendeve të Europës.
Ekspertët besojnë se një rol të ndjeshëm në qëndrimin e Bankës së Shqipërisë për të mos rritur më tej normat e interesit ka luajtur kursi i këmbimit. Në pjesën e parë të këtij vti, leku është forcuar ndjeshëm ndaj shumicës së valutave të huaja kryesore dhe sidomos ndaj euros, që tashmë ndodhet në kufijtë e 104 lekëve, në nivelet më të ulëta historike.
Banka e Shqipërisë vlerëson se ky forcim i Lekut ka një ndikim të ndjeshëm në uljen e presioneve të jashtme inflacioniste, duke kompensuar deri diku efektin që do të jepte një rritje e mëtejshme e normave të interesit.
Por, mbi të gjitha, mosrritja e normave të interesit nga Banka e Shqipërisë duket të jetë një lëvizje për të mos nxitur një forcim të mëtejshëm të Lekut në kursin e këmbimit.
Në teori, një rritje e mëtejshme e normave të interesit do të ndikonte në një mbiçmim të mëtejshëm të lekut, për shkak se i bën më atraktive produktet e kursimit dhe investimit në monedhën vendase, por njëkohësisht ndikon në frenimin e rritjes së ofertës monetare të Lekut.
Në praktikë, ekspertët janë shumë skeptikë lidhur me efektin e rritjes së normave të interesit në forcimin e Lekut. Megjithatë, duke patur parasysh efektet negative që forcimi i Lekut po jep mbi sektorët eksportues të ekonomisë, Banka e Shqipërisë po përpiqet të shmangë lëvizjet që qoftë edhe teorikisht do të nxisnin një mbiçmim të mëtejshëm të monedhës vendase.
Një situatë e tillë ka sjellë një rënie të papritur të yield-eve. Aktualisht, yield-i mesatar i ponderuar i bonove 12-mujore ndodhet pothuajse në nivelin e normës bazë të interesit, një zhvillim ky shumë i rrallë për tregun financiar shqiptar.
Rënia e yield-it të bonove ka një ndikim pozitiv jo vetëm mbi kostot e huamarrjes së qeverisë, por edhe në kreditë afatgjata në Lekë të sektorit privat, që përgjithësisht kuptohen mbi yield-in e bonove 12-mujore dhe një marzh fiks. Kjo po përkthehet në më shumë frumëmarrje për huamarrësit në Lekë, pas rritjes së fortë që u shënua sidomos në pjesën e dytë të vitit të kaluar.
Nga ana tjetër, rënia e yield-eve po i bën më pak tërheqëse bonot për individët, duke krijuar më pak presione konkurruese mbi bankat për të rritur normat e interesit të depozitave.