Sport

Zbulohet makina e Red Bull, Verstappen: Mjaft menduam për Njuein

Në ditën para fillimit të testimit parasezonal, ju prezantojmë makinën RB21, njëvendëshen e re Red Bull, me të cilën Maks Vershtapen do të përpiqet të mbrojë titullin e tij si kampion në fuqi i botës në Formula 1, i mbështetur nga Liam Lauson, si shok skuadre.

Prezantimi i ekipit anglo-austriak, sipas traditës, ishte minimal, me disa foto të bëra në selinë e skuderisë Milton Keynes. Pamja e zbuluar tashmë në “O2 Arena” në Londër, është gjithashtu në thelb identike me atë të përdorur sezonin e kaluar, duke shënuar një linjë vazhdimësie me modelin e 2024-ës.

RISITË

RB21 është makina e parë nga Milton Keynes që krijohet pa dorën e shkëlqyer të projektuesit Adrian Njuei, i cili siç dihet u transferua tek Aston Martin në shtator të vitit 2024. Një sfidë e rëndësishme për dyshen e përbërë nga Enriko Balbo (kreu i aerodinamikës) dhe Pierr Uash (drejtor teknik i ekipit), të thirrur në apel për të rikthyer titullin e konstruktorëve, të cilin tashmë e mban MekLaren.

Te Red Bulli fokusi ka qenë në zgjidhjen e problemeve të shumta të ekuilibrit, të cilat në vitin 2024 e detyruan Vershtapenin të përdorë të gjithë talentin e tij për të mbrojtur titullin nga sulmet agresive të Lando Norrisit, por pa prishur projektin RB20.