Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, sot takohet në Londër me kryeministrin e ri britanik, Andy Burnham.
Takimi shënon fillimin e një jave të rëndësishme diplomatike për Zelensky-n, në kohën kur Ukraina po përballet me intensifikimin e sulmeve ajrore ruse dhe rritjen e numrit të viktimave civile.
Zelensky është udhëheqësi i parë i huaj që pritet nga Burnham, vetëm një javë pasi ai mori detyrën e kryeministrit, pas dorëheqjes së Keir Starmerit.
Britania qëndron krah Ukrainës dhe mbështetja jonë mbetet e palëkundur, u shpreh Burnham në prag të vizitës.
Rusia nuk duhet të ketë asnjë dyshim për vendosmërinë tonë. Ne nuk do të tërhiqemi derisa të arrihet një paqe e drejtë dhe afatgjatë për Ukrainën.
Zyra e kryeministrit britanik tha se fakti që Zelensky është lideri i parë i huaj që pritet nga Burnham, “tregon forcën e marrëdhënieve mes dy vendeve”.
Burnham dhe Zelensky pritet të takojnë edhe disa nga 200 ushtarakët ukrainas që kanë qëndruar në Britani gjatë tri javëve të fundit, ku kanë marrë pjesë në stërvitje për sigurinë detare dhe çminimin e zonave ujore, në kuadër të përgatitjeve për misione të mundshme në Detin e Zi.
Sistemi “Stone Cloak”
Gjatë vizitës, Burnham pritet të njoftojë se Britania do t’ia ndajë Ukrainës pronësinë intelektuale të sistemit të ri britanik të luftës elektronike “Stone Cloak”, duke i mundësuar Kievit që ta prodhojë vetë këtë teknologji.