Dronët ukrainas goditën të mërkurën qendrat logjistike të Wildberries, kompanisë më të madhe të tregtisë online në Rusi, vetëm katër ditë pas një sulmi të ngjashëm që shkaktoi zjarre masive në një magazinë pranë Moskës.
Sipas guvernatorit të rajonit Krasnodar, sulmet shkaktuan vdekjen e një personi. Autoritetet nuk kanë sqaruar nëse viktima ndodhej në një nga magazinat e Wildberries apo në një objekt tjetër të goditur.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se objektivat ishin “qendra logjistike të përfshira në furnizimin e ushtrisë ruse me komponentë për dronë, pajisje navigimi dhe mjete të tjera ushtarake”.
Më herët, Zelensky kishte akuzuar Wildberries se ruante komponentë të përdorur për prodhimin e dronëve ushtarakë. Presidenti ukrainas njoftoi gjithashtu se forcat e Kievit goditën një depo nafte, një cisternë dhe katër anije mallrash në Detin e Zi dhe Detin Azov, në kuadër të ofensivës për të goditur infrastrukturën logjistike ruse.
“Po e kthejmë luftën në shtëpinë e agresorit dhe kjo është plotësisht e drejtë”, u shpreh Zelensky.Ukraina ka shtuar ndjeshëm sulmet me dronë në territorin rus gjatë muajve të fundit, duke synuar të dobësojë kapacitetet ushtarake të Moskës dhe ta detyrojë Kremlinin të negociojë për përfundimin e luftës, e cila ka hyrë në vitin e pestë.