Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar një riorganizim të madh të qeverisë, duke bërë të ditur se vendi së shpejti do të ketë një kryeministër dhe kabinet të ri.
Në një reagim në rrjetin social “X”, Zelensky tha se Ukraina po ndryshon strategjinë e saj politike dhe se ndryshimet janë diskutuar me kryeministren aktuale Yuliia Svyrydenko.
“Ne përcaktuam se këto ndryshime kërkojnë një rinovim të Kabinetit të Ministrave”, shkroi Zelensky, duke falënderuar Svyrydenkon për punën dhe kontributin e saj në qeveri.
Sipas presidentit ukrainas, kryeministres aktuale i është ofruar drejtimi i një fushe të re dhe të rëndësishme të marrëdhënieve me një partner kyç, por pa dhënë detaje të mëtejshme.
Svyrydenko reagoi duke thënë se mbetet krenare për punën e saj dhe “e gatshme t’i shërbejë shtetit ukrainas”.
Ndryshimet në kabinet kërkojnë miratimin e parlamentit ukrainas, i cili që prej nisjes së pushtimit rus në vitin 2022 ka mbështetur në masë të madhe vendimet e Zelenskyt.
Njoftimi vjen në një kohë kur sulmet ruse ndaj Ukrainës vijojnë. Autoritetet lokale raportuan viktima nga bombardimet në rajonin e Dnipropetrovskit dhe Khersonit, ndërsa aleatët e Ukrainës pritet të zhvillojnë bisedime në Paris për përfundimin e luftës.