Në Bjellorusi po votohet në zgjedhjet presidenciale që janë dënuar nga Parlamenti Evropian dhe shumë ekspertë ndërkombëtarë. Nuk kanë dyshime se ato pritet të manipulohen nga regjimi i presidentit Alexander Lukashenko, i cili pret mandatin e shtatë.
Presidenti Alexander Lukashenko vijon në pushtet që nga viti 1994. Zgjedhjet e kaluara nuk u vlerësuan asnjëherë si të lira dhe të drejta nga komuniteti ndërkombëtar.
Këto zgjedhje ka shumë gjasa të jenë absolutisht të qeta e të tregojnë rezultate rekord në mbështetje të Lukashenkos. Mendoj se ai do të marrë rreth 87% ose më shumë mbështetje, tha Alexander Friedman nga Universiteti Saarland.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Bjellorusi bllokoi një numër kandidatësh përpara zgjedhjeve, duke u siguruar që Alexander Lukashenko të mos kishte rivalë në votime.
Asgjë të rëndësishme nuk ka. Shtypja po vazhdon në Bjellorusi dhe po përkeqësohet, tha Roza Turarbekava nga Universitet i Warwick-ut.
Turarbekava iu referua shtypjes që filloi në vitin 2020 pas zgjedhjeve presidenciale të atij viti e që shkaktuan protesta masive në të gjithë vendin.
Shtetet perëndimore kanë vendosur vazhdimisht sanksione kundër regjimit të Lukashenkos dhe nuk e konsiderojnë atë një president legjitim të vendit. Për shkak të pasojave të këtyre sanksioneve, pushteti i tij është afruar me Rusinë, duke i lejuar presidentit Vladimir Putin të përdorë territorin bjellorus për të vendosur trupa ruse dhe organizuar sulme kundër Ukrainës.
Ekspertë si Turarbekava thonë se regjimi i Lukashenkos e ka kthyer Bjellorusinë në satelit të Moskës.
Në një zgjedhje mes vetes dhe vendit të tij, Lukashenko zgjodhi veten. Putini e shfrytëzoi dhe e bëri të varur nga Rusia në mënyrë që Lukashenko tani nuk mund t’i thotë jo asnjë kërkese të Putinit.
Pas protestave kundër Lukashenkos të vitit 2020, autoritetet bjelloruse detyruan organizatat joqeveritare të mbyllen, së bashku me pothuajse të gjitha mediat e pavarura. Gazetarët në një numër të madh u përballën me ndalime, arrestime, kontrolle dhe akuza për vepra penale. Shumë prej tyre janë larguar nga vendi, duke kufizuar më tej mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të lira e të drejta.