Zjarret masive pyjore në jugperëndim të Francës dhe Spanjën qendrore kanë detyruar evakuimin e më shumë se 270 mijë personave, ndërsa autoritetet po përballen me përhapjen e shpejtë të flakëve të favorizuara nga temperaturat e larta dhe erërat e forta.
Ushtria franceze është angazhuar në operacionet e emergjencës, ndërsa qeveria spanjolle ka shpallur gjendjen e emergjencës kombëtare.
Megjithëse fluturimet drejt Bordeaux dhe Madridit vijojnë normalisht, autoritetet u kanë bërë thirrje turistëve të ndjekin udhëzimet e emergjencës. Ministrja franceze për partneritete ndërkombëtare, Éléonore Caroit, deklaroi se shumica e rajoneve të Francës mbeten të sigurta dhe u kërkoi vizitorëve të mos anulojnë udhëtimet, por të informohen vazhdimisht për situatën.
Dhjetëra turistë kanë rrëfyer për BBC momentet dramatike të evakuimit. Ata përshkruajnë alarmet që i zgjuan në mes të natës, kolonat e makinave që lëviznin pranë flakëve gjigante dhe qindra persona që prisnin në plazhe apo në qendra strehimi me valixhet në duar.
Një prej tyre është 21-vjeçari Zac Morrison nga Londra, i cili ndodhej me familjen në gadishullin Cap Ferret. Ai tha se mori disa mesazhe emergjence gjatë natës që urdhëronin evakuimin e menjëhershëm.
“Ushtria franceze shkonte derë më derë. Ishte diçka si në një film, na u desh të merrnim gjithçka. Njerëz të tjerë kanë fjetur në shkolla dhe depo dhe në plazhe ka pasur njerëz që presin vetëm lejen”, i tha ai BBC.
Sipas tij, familja u largua nga një zonë e rrezikuar vetëm për t’u përballur me një tjetër vatër zjarri, ndërsa shumë të evakuuar kaluan natën në plazhe, shkolla dhe depo të improvizuara si strehimore.
Edhe David Morton nga Gloucestershire përjetoi të njëjtën situatë. Ai tregoi se brenda pak minutash familja e tij u detyrua të largohej nga kampingu në Cap Ferret, ndërsa gjatë rrugës iu afruan flakëve.
“Në telefonat tanë kishte një mesazh që thoshte se duhej të evakuoheshim menjëherë dhe të ngisnim makinën në të vetmen rrugë që dilte nga gadishulli”, tha ai.
Në komunën Biscarrosse, Rebecca Papin tha se pa aeroplanë zjarrfikës dhe helikopterë që luftonin flakët gjatë natës, por nuk mori urdhër evakuimi. Të nesërmen në mëngjes zbuloi se qyteti ishte zbrazur pothuajse plotësisht, ndërsa rrugët ishin bllokuar nga zjarri dhe hiri binte nga qielli si borë.
Shumë familje kanë vendosur të ndryshojnë destinacionet e pushimeve. Mark Dorey nga Leeds u evakuua nga një kamping pranë Parentis-en-Born së bashku me familjen dhe kaloi natën në një palestër me qindra persona të tjerë përpara se të zhvendosej në rajonin Dordogne për të vazhduar pushimet në një zonë më të sigurt.