Tani është zyrtare, Lazio do të ketë në pankinë Ivan Gennaro Gattuso. Ish trajneri i kombëtares italiane do të marrë vendin e Maurizio Sarrit dhe tani do të ketë detyrën për të ndryshuar totalisht ambientin në klubin bardhekaltër që përjetoi një sezon të kushtëzuar nga protestat e tifozëve që do të vazhdojnë dhe merkatoja e bllokuar.
“Lazio komunikon se i ka besuar detyrën e trajnerit të skuadrës së parë Gennaro Gattusos. Klubi e mirëpret me kënaqësi trajnerin e ri me bindjen se eksperienca, profesionalizimi dhe vendosmëria e tij mund të kontribuojnë në arritjen e objektivave sportive të klubit”, theksohej në komunikatën e klubit
Edhe pse zyrtarizimi u bë vetëm këtë të martë, marrëveshja mes Lazios dhe Gattusos ishte arritur kohë më parë me trajnerin që kishte bërë të qartë prioritetet e tij për merkaton e verës; një qendërmbrojtës, një qendërsulmues dhe një trekuartist për skemën e tij 4-2-3-1. Por kushti është se do të bëhen blerje vetëm pasi klubi të ketë shitur futbollistë. Romagnoli dhe Gila janë me valixhe në duar dhe nga ai moment do të zhbllokohet edhe merkatoja e Lazios.
Tashmë klubi roman ka arritur marrëveshjen për futbollistin me tipare sulmuese Asp Jensen; operacioni ka nisur por është lënë pezull sepse Gattusos i pëlqen shumë Luca Stoijkovic, i cilësuar si një profil që është më shumë gati. Futbollisti 22 vjeçar i Dinamos së Zagrebit vlerësohet rreth 10 milionë euro dhe Gattuso e njeh shumë mirë futbollin kroat për shkak të eksperiencës së tij me Hajdukun e Splitit, skuadra e tij e fundit përpara se të merrte drejtimin e kombëtares italiane. Për më tepër Gattuso do të dontë edhe një mesfushor tjetër për ta aktivizuar bashkë me Taylor. Presidenti Lotito i ka premtuar 4-5, me 19.5 milionë euro do të zhbllokonte merkaton dhe do të shtonte edhe buxhet tjetër për të bërë përforcime.