Sport

ZYRTARE/ Marrin fund dilemat, i shumëkërkuari Asllani firmos deri në 2029 me klubin e Bundesligës…

Merr fund edhe telenovela e Fisnik Asllanit. Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, ka vendosur që të zgjatë marrëveshjen e tij me klubin e Hofenhajm, duke firmosur deri në vitin 2029 me të.

Asllani kishte qenë në huazim në dy vitet e fundit, por forma që ka treguar në edicionin që u mbyll me fanellën e Elversberg në Bundesligën 2, duke shënuar 18 gola e dhënë 9 asiste, e bëri atë një nga emrat më të lakuar në Gjermani e jo vetëm. Ai u kërkua me ngulm nga shumë klube, por Hofenhajm që zotëronte kartonin e tij, vendosi ta kthente në bazë.

Sot, është bërë e ditur se marrëveshja e cila përfundonte në vitin 2026, është zgjatur deri në vitin 2029 dhe 22-vjeçari do të jetë pjesë e rëndësishme e projektit të ri të klubit.

“Jam shumë i lumtur që kam zgjatur kontratën me Hofenhajm. Pas huazimeve në dy vitet e fundit, ndjeja që rrugëtimi im te Hofenhajm nuk kishte mbaruar. Jam shumë i motivuar dhe dua të tregoj sa vlej në Bundesligë”, tha sulmuesi i Kosovës.