Për herë të parë në vendin tonë kanë mbërritur 10.000 vaksina ruse anti-COVID Sputink-V, dhuratë nga Muhammed Bin Zayed princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara.
Nga Aeroporti i Rinasit ku ndodhej në pritje të vaksinave ruse, ministrja Ogerta Manastirliu së bashku me ministrin e Shtetit për Rindërtimin theksoi se vaksinat menjëherë do të shkojnë në ISHP dhe më pas do të vijojë procesi i vaksinimit.
Menjëherë do të shkojnë në ISHP për të gjitha procedurat, më pas do të vijojmë dhe me fillimin e procesit të vaksinimit. Ndërkohë që procesi i vaksinimit po vijon, pas mësuesve dhe të moshuarve do të shtrijmë edhe më gjerë vaksinimin me vaksinat e tjera në vijim. Do të vijojmë të sigurojmë akoma më shumë vaksina, në mënyrë që sa më shpejt të jetë e mundur të fillojmë vaksinimin masiv të popullatës dhe të parapërgatitemi për të qenë më të lehtësuar edhe për turizmin.
Manastirliu nënvizoi se Komiteti i Imunizimit ka dhënë garancinë për përdorimin e vaksinave.
Komiteti i Iminizimit dhe gjithë strukturat të cilat merren me çertifikimin, sigurinë dhe efektivitetin e vaksinave tashmë kanë dhënë prej disa javësh garancinë për vaksinat, që ofrojnë siguri dhe efikasitet
Në fjalën e tij ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj, falënderoi qeverinë e Emiratëve që u gjendën me tërmetin dhe po gjendet edhe me pandeminë krah Shqipërisë.
Teksa ka shpërndarë videon e ardhjes së vaksinave ruse në vendin tonë, kreu i qeverisë Edi Rama, shkruan se shumë shpejt do do të vijnë shuma të konsiderueshme që do të krijojnë mundësinë për një vaksinim të fuqishëm për të dalë nga tuneli i gjatë i kësaj lufte të egër.
Së shpejti shuma të konsiderueshme vaksinash të tjera do të pasojnë, duke na krijuar mundësinë të rrisim fuqishëm numrat e vaksinimeve ditore, për të dalë së shpejti nga tuneli i gjatë i kësaj lufte të egër!
Në total që prej fillimit të vaksinimit janë kryer 46 mijë e 515 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Janë kryer 27 mijë e 334 vaksinime për personelin shëndetësor dhe stafet mbështetëse, 7 mijë e 753 vaksinime për të moshuar dhe 11 mijë e 428 vaksinime për arsimtarët. Vetëm pak ditë më parë Komisioni i Shëndetësisë i hapi rrugë autorizimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe ministrisë së Shtetit për Rindërtimin që të vijojnë përpjekjet për të siguruar vaksina në çdo vend që e prodhon.