Health & Beauty Tech

Krijohet vaksina e parë në botë nga Inteligjenca artificiale!

Shkencëtarët e Universitetit të Kembrixhit kanë zhvilluar një lloj të ri vaksine, përbërësi kryesor i së cilës është projektuar tërësisht nga inteligjenca artificiale (AI). Sipas studiuesve, kjo është hera e parë që një antigjen i krijuar nga AI testohet te njerëzit. Vaksina synon të ofrojë mbrojtje ndaj të gjithë familjes së koronaviruseve, duke përfshirë variantet e COVID-19 dhe viruset që qarkullojnë te kafshët e që mund të shkaktojnë pandemi të ardhshme. Studiuesit përdorën kodet gjenetike të koronaviruseve të ndryshme, të mbledhura nga programe monitorimi të kërcënimeve virale.

Më pas, inteligjenca artificiale analizoi të dhënat dhe krijoi një “super-antigjen” të aftë të trajnojë sistemin imunitar për të njohur dhe luftuar një gamë të gjerë virusesh, edhe nëse ato pësojnë mutacione. Profesori Jonathan Heeney, drejtues i projektit, e cilësoi këtë zhvillim si një ndryshim themelor në mënyrën se si bota mund të përgatitet për pandemitë e ardhshme. “Qëllimi është të krijojmë vaksina që na mbrojnë jo vetëm nga viruset e sotme, por edhe nga ato që mund të shkaktojnë shpërthimin apo pandeminë e radhës”, tha ai.

Deri tani, vaksina është testuar te 39 persona për të vlerësuar sigurinë e saj, ndërsa një studim i dytë me rreth 200 pjesëmarrës pritet të japë më shumë të dhëna mbi efektivitetin. Edhe pse përgjigjja imunitare e vërejtur ka qenë modeste, ekspertët e konsiderojnë teknologjinë premtuese. Ekipi po zhvillon gjithashtu vaksina universale kundër gripit sezonal, gripit të shpendëve H5N1 dhe sëmundjeve hemorragjike virale, përfshirë Ebolën.

Mjekët kanë përshëndetur rezultatet e një studimi të rrallë që tregojnë se një vaksinë kundër kancerit me veprim të trefishtë mund të zhdukë të gjitha tumoret tek pacientët raporton “The Guardian”. Në një provë ndërkombëtare që përfshinte 11 vende, injeksioni iu ofrua pacientëve, kanceri i të cilëve ishte përhapur ose ishte rikthyer dhe sëmundja e të cilëve nuk kishte arritur t’i përgjigjej trajtimeve të tjera. Injeksioni, i quajtur “amivantamab”, tkurri tumoret e më shumë se një të tretës së pacientëve, me ndryshime dramatike të vërejtura brenda disa javësh. Tek 15 prej tyre, mjekët zbuluan se ilaçi i kishte shkrirë plotësisht tumoret e tyre.