Aktualitet

14 Maji, Celibashi: Me sistemin e ri, të dhëna reale për numrin e votuesve!

Ndërsa në zgjedhjet vendore të 14 Majit, zgjedhësit do të identifikohen përmes pajisjeve elektronike, sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ bëri testimin operacional për to. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi theksoi se për herë të parë do të ketë të dhëna reale mbi numrin e pjesëmarrësve në votim.

Celibashi vuri në dukje se nuk lihen shtigje të hapura për votuesit që do të tentojnë të shmangin identifikimin biometrik.

Kemi përmirësuar ndjeshëm të gjithë sistemin e protokollimit të rasteve kur për arsye objektive nuk mund të bëhet identifikimi biometrik i votuesve. Kemi ndërtuar një sistem të tillë që nuk lë shkak dhe mundësi për këdo që në mënyrë manipulative kërkon të shmangë identifikimin biometrik.

Nëse një votues do të përdorë një mënyrë për ta shmangur identifikimin biometrik do të jetë qartësisht e evidentuar se për çfarë arsyesh. Kemi pasur raste që i kemi identifikuar. Votues të caktuar kanë gjetur mënyrën e shmangies së vënies së gjurmës së gishtit.

Kreu i KQZ-së, shtoi:

Një gjë e shtuar në këtë sistem është transmetimi në mënyrë periodike i të dhënave mbi pjesëmarrjen në ditën e zgjedhjeve. Për herë të parë, falë kësaj teknologjie, ne do kemi të dhëna reale mbi numrin absolut të pjesëmarrësve në votim. Nuk do ta bazojmë përqindjen në sondazhe, por në faktin konkret dhe ne këto të dhëna do t’i bëjmë publike.

Lidhur me zgjedhjet e 14 Majit, nënkryetarja e KQZ-së, Lealba Pelinku tha se qëllimi është që në qendrat e votimit të ketë 5 mijë operatorë, të cilët do të jenë të mirëtrajnuar në ditën e zgjedhjeve lokale.

Kemi shtyrë afatin e aplikimeve për shkak të mos mbushjes së qendrave të votimit me aplikantë dhe shpresojmë të kemi 5 mijë operatorë për qendër votimi. Gjithashtu, kemi shtyrë afatin e trajnimit, që në ditën e zgjedhjeve të jemi në nivelin më të lartë të votimit me operatorë.