24 vjetori i masakrës së Krushës së Madhe nga forcat serbe, liderët e Kosovës thonë se prioritet është vendosja e drejtësisë sa i përket krimeve të luftës. Aksioni i forcave policore e ushtarake të Serbisë nisi më 25 dhe zgjati deri më 27 mars të 1999-ës. Në masakrën e Krushës së Madhe u vranë 241 persona, mes tyre shtatë fëmijë e pesë gra, njëra prej të cilave shtatzënë, si dhe mbijetuan 25 të plagosur rëndë.
Presidentja Vjosa Osmani tha se fati i 64 banorëve të Krushës së Madhe ende mbetet i pazbardhur. Ata figurojnë në listën e personave të zhdukur me dhunë.
Krimet e luftës asnjëherë nuk vjetërsohen, njësoj sikur edhe gjenocidi që kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar. Ndaj sot dhe gjithnjë nuk do të ndalemi së kërkuari që autorët të vihen para drejtësisë dhe që fati i patriotit të madh, Ukshin Hoti e të gjithë krushianëve të tjerë të zbardhet.
Kosova bëri luftë çlirimtare, ndërsa Serbia kreu gjenocid mbi popullin tonë. Ne duhet të besojmë e të angazhohemi të gjithë së bashku për ta mbrojtur të vërtetën, e cila po tenton të tjetërsohet dhe për ta vendosur drejtësinë.
Më herët, memorialet në Krushë të Madhe e të Vogël i vizitoi edhe kryeministri Albin Kurti, i cili deklaroi se “fati i personave të pagjetur është prioritet për ekzekutivin” që drejton. Ndërkaq, akuzoi Serbinë se po vazhdon të “mohojë krimet” e kryera në Kosovë.
Ata nuk janë thjesht të pagjetur, ata janë të zhdukur me dhunë dhe dy janë preokupimet tona kryesore. E para është hapja e arkivave në Beograd, me qenë se atje është e vërteta për planet gjenocidale të Serbisë që rezultuan me qindra masakra në Kosovë. Dhe e dyta është zbulimi i varrezave të reja masive e dihet që një gjë e tillë ka hasur në shumë pengesa në Serbi, ku në pesë varreza masive në vitet e shkuara janë zbuluar afër 1.000 trupa të shqiptarëve. Por, natyrisht që ne dyshojmë se ka edhe të tjerë, mirëpo asnjëherë nuk ka qenë e lehtë, e ndihmuar, kërkesa dhe hulumtimi për varreza të tjera.
Në luftën e viteve 1998-1999, në Kosovë u vranë mbi 13 mijë civilë dhe mijëra të tjerë u zhdukën. Më shumë se 1 mijë e 600 persona ende vazhdojnë të pagjetur, pjesa më e madhe shqiptarë.