Në 50-vjetorin e Revoltës së Spaçit, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj sot vizitoi ish-burgun e Spaçit, duke u bërë pjesë e aktiviteteve të organizuara nga Dioqeza Rrëshen dhe Bashkia Mirditë, në bashkëpunim me institucionet e organizatat që angazhohen në fushën e edukimit dhe ruajtjes së kujtesës historike.
Kreu i shtetit u ndal te respekti ndaj të gjithë atyre që sakrifikuan për liri.
Pal Zefi, Skënder Daja, Dervish Bejko, Hajri Pashai, Dashnor Kazazi, Jorgji Pepa e shumë e shumë të tjerë që unë nuk po i përmend, janë vetëm disa nga ata emra që bënë sakrificën e tyre për të treguar se edhe pas vdekjes, shpresa nuk vdes!
Ata janë pjesë e një historie që ende nuk ka dalë plotësisht në dritë dhe që ndikon me peshë hijesh në të ardhmen e vendit tonë. Heronjtë e Spaçit e të tjerë si ata, shërbejnë si një kujtesë për të gjithë ne, se lufta për liri është një luftë e përhershme që kërkon angazhimin dhe vigjilencën tonë të palëkundur. Një kujtesë se fuqia për të formësuar fatet tona qëndron brenda secilit nga ne.
Le të ndërtojmë ura mirëkuptimi, dhembshurie dhe ndjeshmërie, duke e ditur se nëpërmjet këtyre lidhjeve shpirtërore ne mund të krijojmë një të ardhme më të ndritshme për brezat që do të vijnë. Por, ta fillojmë këtë duke u bërë të vetëdijshëm për të shkuarën tonë e duke ndarë moralisht të mirën nga e keqja. Çka është më e rëndësishme të ndërtojmë të ardhmen, duke kërkuar falje për gabimet e të shkuarës e duke u shkëputur tërësisht nga hija e periudhës më të errët të kombit tonë.
Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen e thellë për të gjithë martirët e kësaj revolte.
Në këtë ditë të shënjuar historike, të mbijetuarit e Revoltës së Spaçit janë shembulli më i mirë se pavarësisht gjithë vuajtjes që kanë përjetuar, ata përçojnë tolerancë, mençuri, shpresë dhe mirësi. Për këtë e për gjithë betejat tuaja, shoqëria jonë ju ka një borxh të madh.