Aktualitet

A do të ndikojë mësimdhënia online në provime? Ja çfarë thotë mësuese Ina Kasimati!

Ditën e sotme në emisionin e mëngjesit “Wake up” në Top Channel, për të folur rreth mësimdhënies online ishte e ftuar mësuesja Ina Kasimati. Por sa ka ndikuar i gjithë ky transformim i procesit të mësimdhënies për nxënësit sipas Kasimatit? Ajo na flet më shumë vetë:

Sigurisht që nuk mund të flasim për cilësi. Ky nuk është problem i arsimit vetëm në Shqipëri por është një problem global. Të gjithë e dimë që në klasë mësimi është i organizuar në të gjithë dimensionet që nxënësi të jetë prezent aty ndërsa gjatë orarit mësimor që ne zhvillojmë në Zoom shpeshherë kamerat mbyllen, nxënësi duket sikur është aty fizikisht por është duke bërë diçka tjetër. Pjesën më të madhe të nxënësve i pyes kur zhvilloj mësim nëse janë aty, mundohem të ndërtojë një mësim në formë diskutimi dhe kuptoj që pjesa me e madhe e tyre janë me telefon, me një kufje në vesh por mund të jenë shtrirë ende në krevat.

Kjo lloj mënyre e të mësuarit në këto kushte ka prekur cilësinë e mësimdhënies. Qëllimi kryesor i arsimit dhe i punës tonë është arritja akademike, sociale, zhvillimi i kompetencave të nxënësve. Por si mundemi ne t’i bëjmë nxënësit që kur të dalin nga provimet të mos kenë emocione penguese?. Në momentin kur t’i vijë testi, ata që formulojnë testin duhet ta nisin me pyetje të thjeshta. Jo vetëm mësuesit por edhe nxënësit po vijnë nga histori të kaluara me COVID-in, me familjarë që mund t’i kenë humbur. Nuk janë njësoj si maturantët e viteve të tjera. Vijnë me histori të forta të shëndetit mendor.